TIRANË- Shkencëtarja dhe kozmologia shqiptare Laura Mersini Houghton, e cila jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe punon në Universitetin Amerikan të Karolinës së Veriut, në Chapel Hill, sot pretendente për çmimin “Nobel” pasi ka gjetur prova që vërtetojnë teorinë e saj për universin, në një intervistë telefonike në emisionin e mëngjesit “Vila 24” foli për teorinë e saj pretendimin për çmimin Nobel dhe për jetën e një shkencëtareje.

Mersini pranoi se universitetin ku ajo punon është e vetmja shkencëtare nënë dhe apeloi që shoqëria duhet t’i përkrahë më shumë femrat shkencëtare.

Ndërsa duke folur për të ardhmen e planetit tonë, Mersini tha se brezat që do vijnë gjithnjë e më shumë do përballen me probleme, prandaj na takon të gjithëve ne të kujdesemi sot për planetin.

Çfarë mund të thoni në lidhje me pretendimin për çmimin Nobel, a jeni ju e gëzuar?
Në Fizikë dhe Shkencë ka shumë çmime, por Nobel mbetet më i rëndësishmi, është nderimi më i madh që mund ti bëjë tërë globi një shkencëtari. Por përzgjedhja e kandidatëve minimizon çdo lloj ndërhyrje. Emrat e shkencëtarëve që kanë prova që vërtetojnë teorinë e tyre qendrojnë në listën e kandidatëve për 50 vite, por askush nga ne nuk e di me saktësi nëse e ka apo jo emrin. Pra që të jesh kandidat duhet të kesh prova që e vërtetojnë teorinë tonë dhe unë jam me fat që teoria ime është provuar.

Ju ka inspiruar babai juaj në rrugën tuaj?
Babai im ishte një matematicien, në rastin e tij dhe në fushën e tij ai kishte mundësi ti zbatonte menjëherë ekuacionet. Por jetoi në një kohë tjetër.

Si është dita e një shkencëtareje?
Jeta ime është ajo tipikja e një shkencëtari, ka patur një farë ndryshimi para se të lindte vajza, e kam 5 vjeç. Para e kisha jetën kaotike, kur kisha mbaruar punët rutinë filloja punoja ose në zyrë ose në kafene pa e parë orën se ku isha…kjo ka një kënaqësi të jashtëzakonshme. Të mendosh se si ka nisu dhe si do përfundojë universi, të gjesh një zgjidhje për mua është kënaqësi. Por tani është një fazë e re po i mësoj vetes disiplinën. Çmimi më i lartë është të bërit mama. Unëjam profesorja e parë që u bëra nënë në Universitetin Amerikan të Karolinës së Veriut, në Chapel Hill dhe lajmi bëri bujë…Çmimi që paguajnë femrat në fizikën teorike është shumë i lartë. Duhet përkrahja e gjithë shoqërisë që këto femra ti kenë të dyja edhe familjen edhe karrierën”.

Ekziston një teori shokuese, e shkencëtarit anglez Stephen Hawking, sipas të cilit njerëzimi do shpëtonte duke ikur nga toka, çfarë mendimi keni ju?
Më duket më tepër spekulim dhe thënie provokatike se sa teori. Ne si planet nuk mund të kolonizojmë një planet tjetër, vështirësitë janë shumë të mëdha. Edhe për planetin më të afërt do të duheshin me mijëra vite udhëtimi, por ne jetën nuk e kemi aq të gjatë. Është e garantuar që brezi i fëmijëve e nipërve që vijnë pas do hasin vështirësi të jashtëzakonshme nëse ne të gjithë nuk reagojmë tani për ta mbrojtur universin. Nëse bie një meteor e shuan jetën…por kjo nuk ka pse mendohet.

A ekzistojnë jashtëtokësorët?
Kush e di, nga ana matematike kanë probabilitet të jetojnë…ka shumë planete si ne në univers, që i kanë mundësitë të krijojnë jetën..por deri më tani nuk kemi asnjë lloj evidence që të tregojë për ta.

Cili është mesazhi për të rinjtë që studiojnë shkencën dhe universin?
Nuk kanë nevojë për nxitje por pasion. Rëndësi ka kombinimi i dy faktorëve. Zbulimet më të mëdha bëhen nga njerëzit që nuk kënaqen me përgjigjen që i është dhënë një pyetjeje deri sa të arrijë aty ku do. Të bëjë diçka të re, të lërë diçka mbrapa. Ky është shekulli i shkencës dhe teknologjisë, duhet të kenë vizion, të jenë largpamës.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: