TIRANE

Njerëzit duan të mbeten gjithë jetën të rinj. Mania për botoks e ndërhyrje kirurgjikale, po zëvendësohet me një metodë krejt natyrale, si yoga e fytyrës. Trajnerja, Laura Xhaxhiu pasi zbuloi këtë metodë shumë të efektshme në një udhëtim në Azi, vendosi ta sjellë këtu për femrat shqiptare. Ushtrime që kërkojnë 10 minuta kohë, na bëjnë të dukemi 10 vite më të rinj.

E ftuar në emisionin “Vila 24”, moderuar nga Androniki Kolka, “News 24”, Xhaxhiu tha se nëse nuk punojmë me muskujt, ata e humbasin tonusin e tyre dhe fytyra duket më e moshuar. Ajo vlerëson aktivizimin e të 50 muskujve të fytyrës me qëllim që të mos krijohet varje e më pas rrudha të dukshme në sipërfaqe. “Fytyra është kartvizita jonë, nëse nuk e mbajmë siç duhet, ajo do degradojë.”- thotë Xhaxhiu ndërsa vetë reflekton një portret të relaksuar e shumë rinor, e nuk ngurron të tregojë në studio moshën e saj, 52-vjeçare.

Krahas ushtrimeve të yogës, ajo thotë se rezultatet kërkojnë edhe një dietë të kujdesshme ushqimore pa sheqerna, larg alkolit, shumë fruta e perime si edhe me gatime në shtëpi. Sipas instruktores, face yoga është shumë e thjeshtë, madje vjen natyrale nëse e bëjmë stil jetese. Sa i përket rëndësisë së praktikimit me një trajnues, ajo shprehet se kjo është e domosdoshme, pasi vetëm një profesionist di protokollin e praktikës e radhën e punës me muskujt e duhur e kjo vlen jo vetëm për gratë, por dhe për burrat. Xhaxhiu është diplomuar pas 1 viti studimesh nga mjeshtrja japoneze, Fumiko Takatsku, krijuese e Face Yoga Method.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb