Një delegacion i senatorëve të Partisë Republikane amerikane u takua sot me kreun e diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, në prag të një samiti mes presidentëve Vladimir Putin dhe Donald Trump, i parashikuar për më 16 korrik.

“Ne mendojmë se bota do të ishte më e mirë nëse Rusia dhe SHBA-ja do të kenë më pak tensione, do të kuptoheshin më mirë dhe do të mënjanonin mosmarrëveshjet”, deklaroi senatori, Richard Shelby gjatë takimit me Lavrov në Ministrinë ruse të Punëve të Jashtme.

“Ne jemi konkurrentë, por nuk kemi domosdoshmërisht nevojë për të qenë kundërshtarë”, shtoi senatori republikan i Alabamas, sipas deklaratave të transmetuara në televizionin rus.

Duke u shprehur në anglisht, Serguei Lavrov deklaroi se shpresonte se vizita e senatorëve amerikanë do të simbolizonte rifillimin e marrëdhënieve mes parlamentarëve amerikanë dhe rusë.

“Mendoj se rifillimi i një dialogu do të ishte një ngjarje shumë e rëndësishme në prag të takimit mes dy presidentëve, Donald Trump dhe Vladimir Putin”, konfirmoi ai, shkrun atsh.

Senatorët amerikanë do të takohen me përfaqësuesit e Dhomës së Ulët dhe të Lartë të Parlamentit rus.
“Ata nuk do të takohen me presidentin rus, Vladimir Putin”, theksoi për gazetarët zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov.

Vladimir Putin dhe Donald Trump do të takohen më 16 korrik në Helsinki për samitin e tyre të parë dypalësh që parashikon përmirësimin e marrëdhënieve shumë të degraduara mes Moskës dhe Uashingtonit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb