Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe homologu i tij amerikan, Antony Blinken, ranë dakord të zhvillojnë një takim të përbashkët javën e ardhshme, në kuadër të samitit të Këshillit të Arktikut.

“Sergei Lavrov dhe Antony Blinken kanë rënë dakord të zhvillojnë një takim të veçantë gjatë këtij samiti për të diskutuar çështje kryesore të marrëdhënieve dypalëshe dhe axhendën ndërkombëtare”, tha Ministria e Jashtme ruse në një deklaratë.

Takimi ministror i Këshillit të Arktikut do të zhvillohet më 20 maj.

”Gjatë bisedës telefonike së sotme, dy diplomatët folën për Korenë e Veriut, programin bërthamor të Iranit dhe stabilitetin strategjik”, sipas Moskës.

Marrëdhëniet SHBA-Rusi janë përkeqësuar në mënyrë të vazhdueshme në vitet e fundit, mes akuzave nga Uashingtoni për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të SHBA 2020, spiunazh dhe sulme kibernetike.

Administrata e presidentit amerikan Joe Biden urdhëroi në prill sanksione të reja kundër njësive të lidhura me Rusinë, dëbimin e dhjetë diplomatëve dhe ndalimin e bankave amerikane për të blerë drejtpërdrejt borxhin e lëshuar nga Rusia.

Moska u përgjigj duke dëbuar 10 diplomatë amerikanë, duke ndaluar hyrjen e zyrtarëve të lartë amerikanë në territorin e saj dhe përfaqësimet amerikane të punësonin shtetas të huaj.

Pavarësisht këtyre shkëmbimeve të masave ndëshkuese, të dy kryeqytetet po diskutojnë një samit të mundshëm midis presidentëve Joe Biden dhe Vladimir Putin në një vend të tretë në qershor 2021.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb