Rusia mohoi se kishte informuar Presidentin amerikan Donald Trump për tërheqje të personelit ushtarak nga Venezuela, duke kundërshtuar një koment të bërë nga udhëheqësi amerikan.
“U befasova kur e lexova, nuk kemi njoftuar askënd. Me sa duket ai ka lexuar një artikull të gazetës The Wall Street Journal”, tha ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, duke iu referuar një komenti të bërë më 3 qershor nga zoti Trump.

Në muajin mars presidenti Trump tha se Rusia “duhet të largohet” nga Venezuela duke iu referuar zbarkimit të avionëve rusë me furnizime e personel teknik për të ndihmuar Presidentin Nikolas Maduro i cili ndodhej në mesin e një kryengritjeje të brendshme.

Shtetet e Bashkuara kërkojnë rrëzimin e Nicolas Maduros, një aleat i presidentit rus Vladimir Putin, ndërsa mijëra qytetarë venezuelianë kanë dalë në rrugë për të protestuar kundër regjimit të tij.

Në një postim në Twitter më 3 qershor Presidenti Trump shkruante se Rusia kishte informuar Shtetet e Bashkuara “se kishte larguar shumicën e personelit të tij nga Venezuela”.
Postimi erdhi një ditë pasi gazeta “The Wall Street Journal”, e cila citonte një burim të paidentifikuar pranë ministrisë ruse të Mbrojtjes, njoftoi se Moska kishte tërhequr shumë prej personelit ushtarak nga Venezuela.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov tha se Rusia nuk e kishte njoftuar Uashingtonin për një vendim të tillë, duke shtuar se specialistët rusë po vazhdojnë të punojnë në Venezuelë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb