Intervistoi BEN ANDONI*

Shkrimtari Lazër Stani është nga ai soj krijuesish që s’është kurrë bezdisës. Arsyeja e parë është se shkruan rrallë. Relativisht. I mban krijimet e tij deri në pjekjen e duhur, atë kufi që e di vetëm ai dhe pastaj i përcjell. Përmbledhja e fundit “Kohë për nuse” i është dashur të presë plot 10 vjet pas vëllimit “Dënesje në dru”. Nuk ka bërë bujë apo ka rendur të promovojë. Ka pritur kolegët, dashamirët dhe…kritikët të flasin. Por heshtje, veç fjalëve të mira.

Autori ecën në shtegun e vet dhe është një tregimtar i spikatur i shqipes që në fakt mbart një origjinalitet që duhet të vlerësohet. Nuk mund të thuhet se ka arritur përkryerje apo se ka bërë atë që ka dashur përkryeshmërisht për mendimin tonë. Ai, vetë nuk rresht së kërkuari. Për shembull, në kuptimin tonë, dy subjekte janë sakrifikuar ndërsa shumë mirë mund të shërbenin si romane të këndshme. Duket se tregimi si gjini i shkon për shtat Lazrit ndaj ai eksperimenton dhe në disa të tilla syresh, që i ka përmbledhur në këtë libër, duket se nuk është i njëjti. E vlerësojmë pasi duket se secili syresh është mbajtur shumë në duar. Ai që e njeh shkrimtarin për të cilin po flasim e di se është i obsesionuar ndaj kësaj lloj gjinie dhe në vite ka ndjekur qoftë dhe në përkthim disa prej mjeshtrave të tregimit. Kërkimi dhe përpjekja e bën të duket i ndryshëm kudo. Interesant është fakti se nuk e tepron me eksperimente, kurse në bazë mbartet tematika kombëtare që ai e trajton me kujdes. Duket pak patetik në njërën syresh ku do të përshkruaj një të dënuar, por në të gjitha ti merr një informacion të duhur për Shqipërinë, brenda kuadrit universal të shkrimit, cilësi që e dallon krijuesin e mirë. Forma e zgjedhur është e zhdërvjedhët dhe ai administron me kujdes narracionin. Në një intervistë do të na thotë se: disa herë është vetë subjekti, që e zgjedh formën dhe për këtë ka të drejtë. Në fakt për çfarë të duhen katërqind faqe kur një krijues mund ta thotë për vetëm pak faqe. Këtë postulat ai e njeh mirë.

rëfimi në vetën e parë e ndih autorin të shpjegoj më së miri krijimin e vet, por edhe ti dalë zot ashtu si duhet, ashtu si nga ana tjetër të ofron me një perceptim që është i larmishëm. Në disa raste nuk futet komplet në lëkurën e personazhit, por mundohet në teknikën e akuarelit që ne ta ndjekim në impulsin e vet. Duket se rrëfimin e ka si përvojë të leximit të gjatë dhe mësimit të mjeshtrave të letërsisë për transplantin e mirë të formës por edhe që e ndih shumë krijimin e vet.

Ka ndjenjën e masës dhe në një nga tregimet e tij që titullohet “Idioti udhëton në Amerikë” na ruan të gjithëve nga një krijim që duhet thënë se mund të përfundonte në një rrëfim patetik. E administron shumë mirë kohën si subjekt, por nuk mund të thuhet se është ai elementi që të ndjek tek ai sesa mënyra e rrëfimit dhe subjekti, që e jep në këndvështrime të ndryshme. “Kohë për nuse” të ngërthen me idetë universale, që dalin nga areali shqiptar që ai percepton por edhe zgjidhjet që ti i kupton, po ta ndjekësh me kujdes. Autori përmes dy linjave, por edhe më shumë në tregime të ndryshme na jep një realitet kohor të shkallëzuar, në të ashtuquajturën e kohën e letrave dhe atë reale. Tek “Idioti”, por edhe tek “Kohë për Nuse” me fundin që ka realizuar i është shpëtuar çdo lloj patetizmi. Autori teknikisht di të sendërtojë rrëfime por edhe të qaset këndshëm ngado. Në një element, kemi vërejtur humorin që e përshkruan të gjithën si linjë në libër dhe që është cilësi gati e përbashkët në letërsinë e mirë. Ajo vuajtje e pamëshirë të grish, por nga ana tjetër edhe të kërkon që të jesh vetvetja për të qeshur me botën, veten dhe me realitetin.

Botimi është i këndshëm dhe nuk të bezdis. Kopertina është vërtetë e bukur, por si e pazgjidhur me karakterin e tregimeve të veta. Duket se ka qenë një “kapriço” e autorit. Mund të ishte grafikisht pak më i mirë konceptimi i layout-it.

Po e nisim nga “fundi”. Pse e keni sakrifikuar subjektin e Daiza Zaharisë për një tregim. A nuk do duhej që për shtresëzimin historik, kjo pjesë të trajtohej si roman?

“Nuk është hera e parë që më bëhet një vërejtje e tillë. Që në tregimet e para, disa prej miqve më qortonin shumë sinqerisht: Këtë tregim duhet ta kishe shkruar roman. Anton Nik Berisha, studiues dhe kritik i letërsisë, por edhe mik i imi, ma pati bërë këtë vërejtje për tregimin Puthja Fatale. Del një roman i mrekullueshëm më shkruante. Në fakt, dikush që i pati lexuar tregimet para se të botoheshin ma pati thënë konfidencialisht: Disa prej tregimeve kanë peshën e romaneve. Janë miniromane. Edhe unë e kam pyetur vetën më shumë se njëherë: a kanë diçka mangut këto tregime, që të tjerët i perceptojnë si romane të braktisur? Apo kanë diçka tepër? Nuk ekziston një përgjigje shterruese, një përgjigje që shuan çdo mëdyshje. Të shkruarit, krijimi është një proces i pafund dhe autori kurrë nuk është i kënaqur më punën e tij. Shkruaj tregime sepse, njësoj si Jorge Luis Borges, mendoj se nuk ke pse ta shkruash me katërqind faqe një histori që mund ta rrëfesh me dhjetë faqe.

Në natyrë, në fizikë, ka një ligj sipas të cilit trupat qiellorë gjithnjë priren që masën më të madhe ta përfshijnë në një vëllim sa më të vogël. Kjo është arsyeja pse trupat qiellorë kanë formë sferike dhe jo forma të tjera gjeometrike. Edhe letërsia them se duhet ti nënshtrohet këtij rendi kozmik. Kur lexon me dhjetra faqe që nuk të thonë asgjë, po vetëm fjalë, fjalë, fjalë, si lexues tmerrohem dhe e braktis librin. I dëshpëruar mendoj me vete: Mirë që nuk kanë respekt për fjalën, respekt për veten, po nuk respektojnë as kohën e tjetrit. Gjithmonë më ka habitur lehtësia me të cilën shumë autorë i shkruajnë romanet e tyre. Ndoshta është dhe çështje talenti, nuk dua të jem kategorik, por nuk më takon shpesh që të lexoj romane që më shtangin si “Greku Zorba” për shembull, i përkthyer në shqip mjeshtërisht nga Stavri Dajo. Ose “Pedro Paramo”, ose “Metamorfoza” e Kafkës, ose “Kolonelit nuk ka kush ti shkruajë” e Markezit.

Kjo nuk do të thotë, se nuk do të dëshiroja të shkruaja romane: gjithmonë kam patur ide romanesh në kokë, që në moshë fare të re, madje ka ide romanesh që i mbaj në kokë prej njëzet a tridhjetë vjetësh. Dhe prapë janë, jo vetëm një, por disa prej tyre. Nganjëherë ndjehem mirë që nuk i kam shkruar se tani me siguri nuk do më pëlqenin. Njeriu evuluon me kalimin e viteve, ndryshon, shqisat fitojnë dimensione të tjera, sistemi i përceptimit është tjetër.

Por të flasim konkretisht për Daiza Zaharia. Këtë subjekt ka vite që e kam në kokë, ndoshta prej dhjetë vitesh a më shumë, por në asnjë rast nuk ka ardhur tek unë në trajtën e një romani. Dhe siç thotë me të drejtë Gabriel Garsia Markez, subjekti e zgjedh vetë gjininë në të cilën shkruhet, nuk e zgjedh autori. Pra Daiza u vetësakrifikua, nuk e sakrifikova unë”.

Keni të zgjidhur shumë mirë elementin e kohës në shumicën e tregimeve. A keni menduar se ky dimension mund të pengonte në shtjellën e rrëfimit?

“Nuk e kam menduar asnjëherë kohën si pengesë, madje as e ndjej në çastin kur shkruaj. Ashtu sikurse ajri është i pranishëm në dhomë, ashtu është e pranishme edhe koha në rrëfim, e pandjeshme, e padukshme, një gjendje e natyrshme.

Koha është aty, si një gjendje e përjetshme, ndërsa ne si subjekte të përkohëshme. Me tiktakun e thatë të orës me lavjerrës në mur, me ngritjen e diellin në horizont në qiellin e mengjesit, apo më fundosjen e tij në det në mbrëmje, ne nuk matim kohën e përjetshme por përkohësinë tonë, përkohësinë e gjithçkaje që ne përceptojmë. Edhe në trurin tonë, edhe në mendimin tonë, koha futet si prani e përjetshme në projeksione të ndryshme, aq sa kemi edhe kohë të foljeve që dëshmojnë veprimet tona të shkuara të sotme apo të ardhme, por në çastin e krijimit energjia krijuese të nxjerr në dimension jashtëkohor dhe të gjitha kohët qëndrojnë të përulura në tryezën tënde të shkrimit, i binden në mënyrë të vetëvetishme kësaj energjie dhe ti ndërkaq as nuk e ndjen se çfarë po ndodh me kohën”.

Edhe pse ka tragjizëm në shumicën e temave të tregimeve, një tis i fshehtë humorit tashpër i përmbledh të gjitha. Biri, që merr vesh se babai do martohet me të adhuruarën e tij; njeriu me Idiotin që është arratisur; Përqafimi në vaki etj. A është thjesht një trishtim filozofik apo një metodë për të parë jetën me sytë tuaj?

“Prej natyre nuk jam një njeri i trishtuar, por as një naiv i gazmor nuk jam. Prej adoleshencës së hershme i kuptova shumë gjëra, disa të vërteta rrënqethëse të ekzistencës tonë dhe shumë shpejt i klasifikova gjërat në dy kategori: në gjëra që ishin në dorën time dhe gjëra që nuk ishin në dorën time; në gjëra që varen prej njeriut dhe gjëra që nuk varen prej tij. Lindja dhe vdekja, përshembull, u klasifikuan si të pavarura prej meje. A mund të ulesh e të vajtosh fatin se një ditë ti do të vdesësh? Jo. A mund të qahesh, të pikëllohesh se ke lindur në këtë kohë dhe jo në një kohë tjetër historike, para pesëqind vjetësh apo pas pesëqind vjetësh? Jo e jo. Se ke lindur diku në një fshat të izoluar, diku në një periferi të harruar të botës dhe jo në Londër, në Paris apo në Romë? Kurrën e kurrës. Ka dhe plot gjëra të tjera që mund ti klasifikosh në këtë listë, e për të cilat njerëzit trishtohen, vuajnë, brengosen, derdhin lotë. Mua këto vuajtje absurde më shkaktonin një ndjenjë humori, ndonëse jo dashakeqe. Sigurisht kishte dhe plot gjëra që vareshin prej meje dhe që unë duhet ti bëja e të gëzohesha prej tyre. Edhe pse në fund të fundit, jeta është një shaka e hidhur, prapë kjo shaka është më e mirë se dorëzimi pa kushte para hidhërimit pafund. Personazhet e mi janë karaktere që guxojnë të bëjnë jetën e tyre. Kjo është e veçanta e tyre në këtë libër. Ata shpërfillin suksesin, rregullat, karrierën, gjithçka që të tjerët u japin, vetëm e vetëm që të bëjnë jetët e tyre. Dhe të bësh jetën tende është akti më i guximshëm i njeriut, pavarësisht se as kjo, nuk e shpëton atë nga tragjizmi i fshehtë i ekzistencës. Babai që përpiqet të martojë djalin, djali që i çon të gjitha në dreq dhe emigron, duke gjetur një punë të rëndomtë si shofer kamioni, djali që arratiset me Idiotin nën sqetull drejt të panjohurës së rrezikshme, janë të gjithë individë që guxojnë të bëjnë jetën e tyre dhe pikërisht për këtë i admiroj”.

Ka një element në strukturën e tregimit tënd. Duket se është lineare, por befas ajo degëzohet. Brenda një tregimi kemi një copëtim të disa tregimsave të vegjël. Është ky një qëllim në vetvete për ta shtrirë idenë?

“Nuk shkruaj me një projekt të qartë paraprak në kokë. Edhe kur një histori që pret të rrëfehet është e plotë në mendjen time, ajo transformohet aq shumë gjatë procesit të shkrimit, sa pothuajse nuk ngjan me variantin e imagjinuar. Me sa duket truri fiton ritem tjetër gjatë procesit të shkrimit, dhe kjo është magjia e shkrimit, magjia e aktit të krijimit. Eshtë magjia sfilitëse dhe përtritëse njëkohësisht që të pushton përballë faqes së zbrazët në kompiutër, ndërsa gishtat lëvizin më zhdërvjedhtësi mbi tastierë, duke kërkuar instinktivisht shkronjat, fjalët. Historia në procesin e rrëfimit pasurohet, rritet spontanisht si një bimë në pyll: lëshon rrënjë, shton gjethe, degë, çel lule, pllenohet, lidh fruta. Historizat zihen me njëra-tjetrën përdore në vallen e krijimit, por e rëndësishme është të mos e humbasesh ritmin, të shmangësh valltarët që nuk e ndjekin dot ritmin, muzikën e rrëfimit. Por të gjitha këto ndodhin instiktivisht, jo sipas një metodologjie të caktuar, jo sipas një qëllimi që ti e ke të fiksuar në mendjen tende. Kur shkruaj, ajo qe më intereson është shkrimi, asgjë tjetër. Mund të ngjajë arrogante, por unë ndaj të njëjtin mendim me Andrei Tarkovskin kur shkruante: Arti nuk mësohet. Në art nuk ka mësues. Ne kemi patur prej gjashtëdhjetë a më shumë vitesh fakultet gjuhë-letërsie, në botë ka institute të veçantë letërsie ose shkolla të Creative Writing, por shkrimtari nuk krijohet në bankat e shkollës, në auditore dhe as nga teoritë që përvetëson, siç krijohet mjeku, veterineri, agronomi, inxhinjeri. Ai lind. Me këtë nuk dua të them se krijimi, letërsia është një akt analfabetësh. Inteligjenca e lindur krijuese me dijet e gjëra dhe të thella plotësojnë portretin e shkrimtarit”.

Teksti i tregimit tuaj mund të kuptohet në disa anë. A është kjo një formë e re e përpjekjes suaj në tregim?

“Një libër duhet të jetë i ri, kur vendos ta botosh. I ri duhet të jetë në radhë të parë për ty, për krijimtarinë tënde. Dhe them se “Kohë për nuse” është një libër i ri për mua. Por shkrimtari e ka të vështirë të gjykojë veprën e vet, të interpretojë librin e vet. Mendoj se diçka që nuk mësohet as mund të intërpretohet, shpjegohet. Aq më pak mund të shpjegosh punën tënde. Gjithsesi jam gjithmonë në kërkim dhe kurrë i kënaqur me veten. Me kalimin e viteve vendimi për të botuar krijimtarinë tende bëhet përherë e më i vështirë. Në këtë pikë e admiroj Juan Rulfo-n, që ishte aq i pamëshirshëm me krijimtarinë e vet”.

Në më të shumën e herës keni shkruar në vetën e parë. A ka qenë një ide kjo për të sfiduar fatin, që është disi prezent në fund të çdo tregimi tuaj?

“Fati, ashtu siç e përceptojmë ne, është gjithmonë një kundërshtar, ngjan sikur punon kundër nesh. Izet Sarajliq, poet boshnjak, ka dy vargje që më kanë mbetur në mendje, ndonëse i kam lexuar shumë vite më parë:

Ah, sikur fati të punonte në ministrinë e dëshirave tona
Dhe jo në ndërtesën përtej rrugës.

Fati gjithmonë punon në ndërtesën përtej rrugës, por individët në tregimet e mi, i qëndrojnë përballë, jo të përulur dhe lutës. Zgjedhja e vetës së të shkruarit është intuitive, por mbase e ka dhe këtë funksion.Gjithçka varet nga fjalia e parë, fjalia themel që mban në këmbë godinën e tregimit”.

A është e vështirë për Lazrin të shkruajë një tekst tregimi, duke iu shmangur kanoneve klasike të letërsisë?

“Të shkruash është gjithmonë e vështirë. Para se të shkruaj vazhdimisht përpiqem të gjej një pretekst justifikues, që ti shmangem tryezës së shkrimit. Për çdo shkrimtar të njëmendët, distanca midis tij dhe tekstit që shkruan, është nga më të vështirat. Pastaj teksti të rrëmben njëjtësohesh me të dhe ti përjeton bukurinë dhe kënaqësinë e aktit të krijimit. Në fakt që në tregimet e parë jam përpjekur të shkruaj me kanonet e mia sepse edhe në jetë dhe në letërsi kam patur një pikësynim: Të jem unë! I pangjashëm me asnkënd! Është e vërtetë ajo që shkruan Ernesto Sabato, se “Asgjë që është njerëzore nuk është tërësisht e pastër”, por ndërkaq kryeneçësia ime në këtë pikë ka qenë gjithmonë e fortë: E shikoja babën tim kur isha në moshën 14 -15 vjeçare dhe mendoja se si jeta ime do të ishte krejt ndryshe nga e tij. Isha student në faklultet dhe. megjithëse disa prej profesorëve i çmoja shumë dhe disa prej tyre i kam miq edhe sot e kësaj dite, mendoja me vete: nuk do të ndjek rrugën tuaj në jetë. Dhe dihet se sa e vështirë është të synosh të shkelësh gjithmonë aty ku nuk kanë shkelur të tjerët, të gjesh çdo ditë rrugën tënde, të jesh çdo ditë vetja jote. Siç duket kjo cilësi e karakterit tim reflektohet dhe në krijimtarinë time. Tashti mund të them se nuk është aq e vështirë të shkruaj një tekst tregimi në mënyrën time, sipas “kanoneve” të mia, ndonëse çdo krijim ndiqet nga hija e dyshimit, nga dilema, është apo nuk është letërsi kjo gjë e shkruar!”

Botuar sot në Gazetën Shqiptare
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: