LDK dhe Vetëvendosja, dy partitë që kanë formuar qeverinë në Kosovë mblidhen sot për t’u pajtuar për heqjen e taksës ndaj Serbisë dhe ‘formulën’ me datat që publikoi Albin Kurti.

Fillimisht mediat kosovare raportojnë as ka një dakordësim mes palëve për këtë çështje por kreu i LDK, Isa Mustafa për KlanKosovën ka parlajmëruar se partia e tij nuk qëndron mes SHBA dhe BE nëse nuk ka një harmonizim mes tyre.

“Sigurisht se unë do të kontaktoj edhe me Kurtin dhe do të bëjmë përpjekje që të gjejmë një zgjidhje, por zgjidhja është vetëm duke ruajtur partneritetin me SHBA-të dhe BE-në. Këto qëndrime duhet t’i harmonizojmë mes vete SHBA dhe BE – ne nuk guxojmë të qëndrojmë në mes të tyre. Çështjet e tyre duhet t’i zgjidhin ata mes vete, por ne duhet ta mbajmë partneritetin me SHBA-të sepse pa ta nuk ka zgjidhje të Kosovës dhe nuk ka dialog përmbajtjesor dhe dialog që do të ketë si rezultat njohjen reciproke”, tha Mustafa.

Ai shtoi se do të bëjnë përpjekje që ta zgjidhin këtë çështje.

“Ne do të bëjmë përpjeke që edhe këtë çështje ta zgjidhim. Kemi pasur shumë sfida, e kemi edhe këtë një sfidë. Unë nuk flas sot për rrezikim të partneritetit, por flas për nevojën që ne të ulemi dhe t’i harmonizojmë qëndrimet dhe të gjejmë një zgjidhje sa më të mirë për Kosovën”, tha Mustafa.

Në fakt për këtë çështje ka një diferencë kërkesash nga SHBA dhe BE. Kjo e fundit e konsideroi si hap pozitiv heqjen e pjesshme të taksës kurse i dërguari special i Trump për dialogun Kosovë- Serbi, Richard Grenell deklaroi se Kurti po bënte një gabim serioz duke hequr vetëm pjesërisht taksën dhe jo plotësisht.

Por kryeministri kosovar nuk kushtëzoi SHBA-në, por BE-në që në Samitin e Zagrebit në maj të liberalizojë vizat për Kosovën.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb