PRISHTINE- Lidhja Demokratike e Kosovës dënoi sulmin ndaj ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, anëtar i Kryesisë së LDK-së, Arban Abrashi.

Lidhja Demokratike e Kosovës këtë akt dhune të ideuar nga drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje e konsideron sulm ndaj rezultateve të jashtëzakonshme pozitive që kjo Ministri dhe Qeveria e Kosovës po arrijnë në përmirësimin e jetës dhe mirëqenies sociale e ekonomike të qytetarëve të Kosovës.

“Të irrituar nga ky progres dhe në misionin e saj për të zhytur vendin në krim, kaos e anarki, kjo lëvizje antishtetërore, nuk po zgjedh mënyrë për të realizuar skenarët e saj të errët me qëllim të përfitimeve politike. Ky subjekt politik, i shndërruar në sekt neveritës për qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë, po vazhdon të demonstrojë potencialet kriminale të cilat i ka vënë në përdorim së fundi përmes hedhjes së molotovëve mbi policët, institucionet, shtëpitë private të liderëve institucionalë, duke djegur makina familjare e zyrtare, duke mbushur selinë e saj dhe objektin e Komunës së Prishtinës me armë vdekjeprurëse, maskat fantome dhe pajisjet e tjera kriminale”, thuhet në reagim.

LDK thekson se përveç të tjerave, mbetet për keqardhje edhe një lloj afiniteti patologjik i tyre për të keqpërdorur minorenë në këto aksione, shkruan tg. “Lidhja Demokratike e Kosovës i bën me dije drejtuesve të LVV-së, në të cilët ka investuar aq shumë propaganda serbe pas luftës në Kosovë, se populli i Kosovës me LDK-në dhe forcat tjera çlirimtare e ka mposhtur regjimin serb të Millosheviqit, duke sjellë lirinë, pavarësinë dhe demokracinë në Kosovë, vlera të shenjta të cilat do t’i mbrojë me vendosmëri të paepur edhe nga njerëzit që me ose pa vetëdije, me veprimet e tyre, sot po punojnë në interes të armiqve të Kosovës”, thuhet në reagim.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: