Lidhja Demokratike e Kosovës reagoi pas deklaratave të Ramush Haradinajt, kandidat për Kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-NISMA lidhur me administratën publike. Haradinaj tha se nuk do të lejojnë njerëz ‘që nuk kryejnë punë’ në administratë kurse LDK theksoi se largimi me dhunë i njerëzve nga puna nuk do të lejohet.
LDK thotë se nuk do të lejojnë largimin me dhunë nga puna të njerëzve që janë të punësuar në administratën publike. Kjo vjen pas deklaratave të liderit të AAK’së, Ramush Haradinaj, i cili është kandidat i koalicionit PDK-AAK-NISMA për Kryeministër të vendit.


“Lidhja Demokratike e Kosovës reagon ndaj kërcënimit dhe shantazhit publik që kandidati i koalicionit të mesnatës, i bëri sot administratës shtetërore”, thuhet në reagimin e LDK’së.
“LDK garanton qytetarët e Kosovës, që me fitoren që do të arrij në zgjedhjet e 11 qershorit, do t’ia pamundësojë koalicionit të territ që t’i shantazhojë dhe t’i largojë nga puna punëtorët profesionalë të administratës, me synim që ta mbush atë me mbështetësit e tij. LDK ka plan konkret për reformë moderne në administratë dhe jo për largim me dhunë të njerëzve nga vendet e punës siç ndodh në vendet diktatoriale, forma që po propagandohen nga kandidati i koalicionit të territ, i cili, siç e ka humbur arsyen, do të humb edhe në zgjedhjet e 11 qershorit”, përfundon komunikata.


Haradinaj u shpreh sot se Administrata duhet t’u shërbejë qytetarëve.
Ai u shpreh sot se do një administratë llogaridhënëse, përgjegjëse, efektive, pra një motor organizativ në shërbim të qytetarëve dhe shtetit.


“Kushdo që punon në administratën e Shtetit dhe nuk kryen punën siç duhet do të shkojë në shtëpi. Nëse është nevoja do të zbrazet krejt administrata për të sjell njerëz adekuat për të punuar në shërbim të qytetarëve.#KaArdhëKoha për PËRGJEGJËSI!”- ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook. (o.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb