NGA AURENC BEBJA

Më 13 qershor të 1920, në kryeqytetin francez, Esat Pasha po dilte nga hotel “Continental”, i shoqëruar nga një mik dhe një mikeshë, për të shkuar në drejtim të automjetit të tij, i parkuar në rrugën “Castiglione”. Avni Rustemi, i cili po priste mbi trotuar, qëllon dy herë mbi të duke e lënë të vdekur në vend.

Si rrjedhim, gazeta franceze, «Le Matin», ka botuar, në faqen e parë të saj, më datë 30 nëntor 1920, një artikull mbi procesin gjyqësor të kësaj vrasje të bujshme. Ajo ka botuar shkëmbimet e ndryshme në sallën e gjyqit, ku bie veçanërisht në sy gjakftohtësia e Avni Rustemit.

Më 20 qershor 1920, Avni Rustemi shfaqet para Gjykatës së Krimeve të Rënda të “Seine-s”. Gazeta e përshkruan autorin 27 vjeçar, si të dobët fizikisht, që dukej sikur të ishte 20 vjeçar, me një pamje të mprehtë, i cili ishte i sigurtë kur shprehej, me një kokëfortësi që haset tek të gjithë vrasësit politikë. Dhe si ata, ai dinte të përdorte lehtësisht “klishetë”.

Që Ahmet Zogu të ishte nismëtar i vrasjes së Esat pashës, këtë e dëshmon edhe Eqrem Vlora që në kujtimet e tij, kur thekson se i interesuar për eleminimin e pashait të Toptanasve ”…në radhë të parë ishte edhe Ahmet Zogolli, (“Kujtime”, faqe 166).

Është tjetër problem, pastaj, se, kur gjatë viteve 1921-1923, Zogu do të zgjidhej kryeministër, në parlamentin shqiptar do të shpërthenin debate të ashpra midis opozitës së kryesuar nga Fan Noli, ku krahas Luigj Gurakuqit, Stavro Vinjut, Hasan Prishtinës etj., bënte pjesë edhe Avni Rustemi dhe në anën tjetër Zogut dhe grupimit të tij politik. Kjo do të sillte si pasojë që ata të ndaheshin deri në atë pikë, sa Zogu në prill të vitit 1924 të vriste me po me atentat Anvi Rustemin.

Për saktësi, po theksoj se kur pas udhëtimit nga Tirana në Romë, Avniu arriti në Paris, kishte me vete rreth 10 mijë franga franceze, shumë tepër e madhe për një student. (Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi “Avni Rustemi”, dosje nr. 2, procesverbal hetimor pas atentatit, mbajtur në zyrat e hetuesisë së burgut Santé në Paris, të cilit do t’i referohemi herë pas here).

Ka mundësi që kjo shumë t’i jetë dorëzuar Avniut nga Zogu në lira italiane, që në atë kohë ishte monedhë me vlerë dhe në Romë ai t’i ketë këmbyer këto para në franga franceze.

“Çështjen e shumës së madhe të të hollave që kishte në përdorim, -shkruan Jusuf Alibali në artikullin e tij studimor “Avni Rustemi para organeve hetimore franceze, (“Studime historike”, nr 2 1964, faqe 215), -të cilën akuza e përdorte si element fajësie, ai e shpjegon kështu: ”Me rastin e nisjes për studime dhe duke marrë parasysh vështirësitë e transportit dhe vonesat e postës, ai ka mundur të merrej vesh me qeverinë që bursa t’i jepej për gjashtë muaj menjëherë…

“Pjesën tjetër të të hollave, -thotë Avniu, e ka marrë nga vëllai, Fejzoja, i cili qe kthyer nga Amerika në mars të vitit 1920. Avniu ka vajtur në Napoli për të takuar dhe ka kërkuar ta ndihmonte për udhëtimin e tij në Paris. Hetuesit francezë, të cilët shikonin edhe në shumën e tij “një corpus delicti”, ishin të shtrënguar të ngrini supet. ”(po aty).

Përse një shumë kaq e madhe, po të marrim parasysh se për të blerë një kostum në rrobaqepësinë Ribulet Puasonie, me qe ai që mbante ishte i vjetër, Avniu ka përdorur 375 franga dhe ka parapaguar 210 franga për një muaj një dhomë në Hotel de Tuileri, nga ku mund të vëzhgonte lëvizjet e Esat pashës që ishte strehuar në hotelin “Kontinental”, në rrugën Kastilione (dhe jo në hotel “Ritz”, siç dëshmon gabimisht Mustafa Kruja në letrën e tij)? Kjo shumë e madhe iu dha Avniut, sepse çasti kur do të kryente atentatin nuk varej prej tij, por nga rrethanat që do të krijoheshin, të cilat për fat të mirë, falë edhe zgjuarsisë dhe trimërisë së tij, u krijuan në jo më shumë se dy javë nga casti i arritjes së tij në Paris.

Burimi:  https://www.darsiani.com/la-gazette/gazeta-franceze-le-matin-1920-kur-avni-rustemi-shpjegonte-ne-gjyqin-e-tij-arsyen-e-vrasjes-se-esat-pashes/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb