Deputetja e PD-së, kryetare e Lidhjes Demokrate të Gruas Albana Vokshi ka sjellë zërin e grave dhe vajzave në protestën e opozitës. Vokshi tha se protesta dhe vetëm protesta është gjuha e vetme që njeh Edi Rama.

Ajo theksoi se 7 korriku është dita e fillimit të rezistencës sonë ndaj së keqes dhe iu bëri një premtim grave e nënave.

“Kam qenë në shumë protestë, por kjo është më e madhërishmja dhe më emocionuesja. Takim madhështor i njerëzve të lirë. Kam nderin të jem zëri mijëra grave dhe vajzave që nuk dorëzohen që ngrihen ndaj një regjimi që mbjell frikë dhe dëshpërim. Mijëra janë mbledhur këtu, mijëra të tjerë janë me zemër këtu. Ne jemi njerëz të sakrificës, ne luftojmë çdo ditë për fëmijët. Sot është një ditë e mirë për shqiptarët, një ditë e keqe për qeverinë. Nuk ka më kthim mbrapa, përpara deri sa të largojmë kryeministrin më të keq dhe qeverinë më të korruptuar. Një lukuni e babëzitur që nuk pyet për Shqipërinë dhe shqiptarët. Edi Rama nuk ka ndërmend të ndalet, ndaj atë duhet ta ndalim ne. Protesta, protesta dhe vetëm protesta është gjuha e vetme që njeh Edi Rama. Ne do t’i denoncojmë emër për emër, njeri-pas tjetrit këtë lukuni që pasurohet duke varfëruar dhe grabitur shqiptarët. Jemi këtu dhe për një premtim, në emër të çdo nëne që ka fëmijët në emigracion, në emër të çdo gruaje që pret që fëmija t’i ikë. Këta këtu nuk do të gëzojnë asnjë qindarkë të vjedhur, këta të gjithë do dalin para drejtësisë. Nuk ka krim pa ndëshkim. Le të jetë 7 korriku dita e fillimit të rezistencës sonë ndaj së keqes. Dita e fillimit të bashkimit kundër Edi Ramës dhe bandës së tij hajdute. Kur ngremë zërin vetëm atëherë dëgjohet. Njerëzit e lirë do të fillojnë”, deklaroi Vokshi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb