Analisti Arjan Vasjari ka debatuar me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, teksa temë diskutimi ishte publikimi i të dhënave personale të qytetarëve nga “E-Albania”.

Kryebashkiaku Veliaj tha se të dhënat nuk kanë dalë nga Partia Socialiste, ndërsa shtoi, duke sulmuar portalin që i publikoi, se nëse janë të vërteta, le t’i dërgojnë në Prokurori.

Nga ana tjetër, analisti Vasjari tha se aty ka të dhëna sensitive dhe publikimi i tyre përbën shkelje të të drejtave të njeriut. Sipas tij, nëse nuk i ka publikuar PS apo PD, atëherë është shqetësuese dhe duhet zbuluar kush ent ka të dhënat e kaq shumë njerëzve, përkatësisht mbi 900 mijë.

Pjesë nga debati:
Vasjari: Unë do preferoja një pozicion tjetër nga unë. Nuk është justifikim që PD ka 1 milion e gjysmë mesazhe. Aty ka të dhëna sensitive. Edhe numri i telefonit është një e dhënë. Aty personi X thuhet që është “Po” ose “Jo”. Mirë, ju thoni që nuk është i PS, edhe PD nuk është. Atëherë pyetja është se kush tjetër i ka të dhënat tona? Kjo më shqetëson. Duhet ta gjejmë kush qenka ky ent, që paska të dhënat, mes tyre dhe të dhëna sensitive.
Veliaj: Është shumë zhurmë për asgjë. Këtu po kishte interes, e çonin në Prokurori, që të fillonte një hetim. Në momentin që kjo kthehet në një lojë se për kë voton ky analist, e për kë ai, kjo është e gjitha një lojë. Është e gjitha një lojë.
Vasjari: Nëse do të ishte kështu, ata që e po bëjnë po kryejnë një vepër shumë të rëndë penale.
Veliaj: Më shqetësuese ishte ajo që pamë në Pukë, me një listë të zgjedhësve.
Vasjari: Di unë plot këtu ore për financimin e partive politike. Kam marrë vesh që kjo që po ndodh në këtë vend është… Por nëse ne do të ikim me këtë logjikë, ne do të vendosim standardin e korrupsionit.

Veliaj: Unë nuk jam marrë me familjen tënde.
Vasjari: Janë marrë më shumë me ty se me mua.
Nazarko: Cili ent paska të dhëna se nga anoj unë dhe paska 910 mijë njerëzve? Këtë mund ta bëjë Shërbimi Informativ. Burim informacioni mund të jetë edhe një ent i madh shtetëror. Shqipëria ngatërrohet me histori të çmendurish. Jeni në terezi apo jo. Partitë e organizuara i kanë me celula të dhënat, emër, mbiemër, numër telefoni.
Vasjari: Po jo mo zotëri se nuk është kështu. Janë të dhëna sensitive. Nëse ne e trajtojmë me një lehtësi të kësaj natyre… këtu është prekur e drejta.
Veliaj: Kur unë të thashë që një portal quhet ordiner, kur shkel privatësinë, shpif, ti e kalon me një lehtësi shumë të madhe.
Vasjari: Jo ore më vjen keq.

Veliaj: Të dëgjova me shumë vëmendje. Mos më ndërprit. Patjetër që është një portal ordiner, që sajon, e do duhet të përgjigjesh për një gjë të rreme. Ne mundohemi të digjitalizojmë partinë tonë prej vitesh. Këtë e bëjnë të gjitha partitë në botë. Për sa kohë partitë kanë databaza, nuk është shkelje e ligjit. Ai portal e dreqos këtë punë, kur sajon për të dhëna personal.

Vasjari: Nëse unë them që nuk është korrekte të përdorësh termin ordiner në këtë studio, që është më etikja që mund të imagjinohet, por edhe kur ka pasur raste, unë s’kam fyer kurrë. Unë nuk njoh asnjë prej tyre në atë portal. Qëndrimi im është thjesht dhe vetëm parimor. Kaq. Por duhet të kemi të qartë se çështja e të dhënave, nëse nuk kanë brenda pëlqimin e qytetarëve, janë shkelje. Partitë ikin e vijnë, institucionet mbeten.

Veliaj: Kush e bën një akuzë të tillë, ka edhe detyrimin të shkojë në Prokurori, kush e përdor për politikë, është problem i tyre. Sapo doli vjedhja e votave të LSI në Pukë, doli tabela e ‘Exel-it’ dhe gjëja më e madhe ishte që Bahri Fariu, votonte LSI dhe jo PD. Çojeni në Prokurori dhe le të vendosë. Kjo tregon, që ne jemi të pastër dhe databazi që kemi ne është në mënyrë kapilare. Partitë e ndryshme kanë informacion dhe mbledhin databaze dhe i përdorin në mënyrë inteligjente.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb