NGA LEDI SHAMKU SHKRELI

TIRANE-
Duke falënderuar nga zemra prof. Matteo Mandalŕ për këtë lajm të mrekullueshëm që na bëri me dije dje (pardje), në kremtin e Gjergj Kastriotit, dëshiroj të shtoj dy fjalë të rastit për këtë zbulesë:

Mësojmë nga lajmi se Gjergj Kastrioti financon muzikën flamande të luajtur në muret e Lezhës arbënore. Sigurisht, reagimi i parë që na vjen vetiu është i kithët me atë çka historiografia zyrtare e kohës së realsocit na ka paraqitur deri më tash. I përdorur fort për qëllime nacionaliste, heroi ynë kombëtar na është paraqitur nga kjo historiografi thjesht e vetëm në aspektin e tij luftarak kërcënor, i pleksur veç me brirë dhish e me prita ndaj armikut. Një shkapërcyes i vrazhdë gërxhesh. Gjergji ishte princ e aspekti i tij fisnik e princëror nuk i shkonte fort për shtat zhgunit bajato-nacionalist të regjimit, i cili thurej mbi të ashtuquajturin “mit të vegjëlisë”. Nga njoftime si ky që sapo na përcolli profesori arbëresh, sigurisht që del në pah aspekti fisnik e i kultivuar i Gjergjit tonë, kultivues muzike e madje edhe mecenat i saj, njëlloj si bashkëkohësit e tij në Europë.

Por dua të shtoj edhe diçka tjetër. Përcaktohet në këtë njoftim, se përzgjedhja dhe mecenatizmi i Gjergjit shkoi pikërisht për muzikën flamande, e kjo për figurën e tij do të thotë ende më shumë. Pse pikërisht muzikën flamande? Në kohën kur Gjergj Kastrioti bën këtë përzgjedhje, jemi në gjysmën e katërqindës, pikërisht në kohën kur arti flamand (e në radhë të parë muzika flamande) është në kulmin e shkëlqimit të vet, bëhet pararoja e arteve europiane, e madje i revolucionarizon ato. Siç kanë vlerësuar kritikët e Muzikologjisë, shndërrimet ekonomike e sociale në shek. XV e sidomos fuqizimi i rrugëve tregtare me Europën e Veriut, dhanë një shtysë të re e të fortë për zhvillimin e artit në përgjithësi e të muzikës në veçanti në zonat Flamande e në ato të Burgonjës. Rryma muzikore që u rrit aty, e financuar nga borgjezia e mirëqenë kudo nëpër shkollat dhe klasat e katedraleve, u quajt shkolla franko-flamande. Kjo shkollë përtëriu e madje revolucionarizoi me themel format e deriatëhershme të muzikës liturgjike, po edhe të vetë këngëve dhe mokteteve muzikore.

Themeluesit e saj, Guillaume Dufay dhe Josquin Des Prez, u mbështetën në traditën polifonike të Europës Perëndimore, por e revolucionarizuan atë, pasi shkrinë në një, Ars Nova e Ars Antiqua (artin e ri e artin e lashtë). Dhe pikërisht nga kjo shkollë muzikore flamande Europa ka sot atë që njihet si teoria e harmonisë. Thënë kjo, merret me mend se muzika flamande e asokohe, pikërisht ajo që na njoftohet se u luajt në Lezhë, ishte edhe pararoja e muzikës europiane që luhej nëpër katedralet e kontinentit. Pra kuptohet fare qartë se Princi Arbënor Gjergj Kastrioti nuk do lexuar thjesht si një fisnik shijehollë e përzgjedhës i artit, por me këtë përzgjedhje flamande ai rezulton para së gjithash si një përhapës e mbështetës i pararojës muzikore europiane, i revolucionit muzikor europian, pikërisht këtu në dheun e Arbnit.

Në periudhën e Skënderbeut trompat (buritë) mund të ishin të drejta ose të lakuara. Përdorimi qe i njëjtë por, meqenëse të lakuarat e kishin më të gjatë tubin metalik, qe e mundur që prej tyre të nxirrej një numër më i madh tingujsh. Aristokracia kish të drejtën të mbante një skortë të veçantë trompetierësh për të rritur luksin e oborreve, por instrumenti përdorej shumë në muzikë për kërcim e vallëzim. Në Mesjetën e vonë shoqërohej me kornamuze dhe bobmbarde, të cilat nga një podium mataronin festimin ose edhe një banket.

E tash, si i shkrova këto radhe, ju ftoj t’i ktheni sytë nga katandisja e sotme me “të ka lali xhan” e të zemëroheni, madje të zemëroheni fort!

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb