Nga: FATMIRA NIKOLLI*
TIRANE – Një mbrëmje shqiptare do jetë e premtja e 16 janarit në teatrin “Luçiano Pavaroti” në Modena, një qytet i vogël i Italisë. Pjesë prej dy baleteve që u vunë në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, “Coppelia” me koreograf Ilir Kernin (njëherësh drejtor i TKOB) dhe “La Stravaganza” me koreograf Angjelin Preljocajn, kanë mundur të bëhen pjesë e kalendarit të këtij teatri. Lajmi është bërë publik dje nga TKOB, ndërsa pyetjes së “GSH” se si u bë e mundur shfaqja shqiptare, zyra e shtypit të teatrit tonë i është përgjigjur: “Ka qenë kërkesë e jona. Kemi prezantuar një dosje me foto, video dhe materiale të tjera, ashtu siç po bëhet edhe me teatro e festivale të tjera. Është punuar për detajet teknike dhe ata e bënë pjesë të kalendarit”.
Në njoftimin për mediat, zyra e shtypit të TKOB, shkruante: “Baletet ‘Coppelia’ dhe ‘La Stravaganza’ do të hapin sezonin artistik 2015 në teatrin ‘Luçiano Pavaroti’, në Modena, Itali, në datën 16 janar 2015, ora 21:00”. Në njoftim, citohet drejtori i TKOB, Ilir Kerni, i cili ka thënë se “ka qenë shumë i rëndësishëm bashkëpunimi që kemi pasur me artistë si Preljocaj apo Cardoso vitin që kaloi, jo vetëm për të sjellë shfaqje të bukura për publikun shqiptar, por edhe për të siguruar një pasaportë për t’i eksportuar këto shfaqje jashtë vendit, ashtu siç edhe po ndodh me këto dy pjesë koreografike që çojnë trupën tonë të baletit në Modena”. Teatri premton që ky të jetë vetëm fillimi, pasi repertori i krijuar gjatë vitit 2014 me balete klasike dhe moderne, që përfshin tituj si “Ballo e Diplomës”, “Coppelia”, “La Stravaganza”, “Impact Table”, “Risveglio Dell’Umanita” do të jenë pjesë e projekteve të tjera gjatë 2015-ës, që do të shikojnë trupën tonë të baletit në turne të tjera jashtë vendit. Në fund, por jo për nga rëndësia, shënohet se “turi i fundit në të cilën trupa jonë e baletit ka performuar jashtë, ka qenë në vitin 2006, po në Itali, në Leçe, me baletin ‘Caro Mozart'”. Ndërsa baleti shkon në Itali, operës i mungon një tenor, vend i mbetur bosh prej ikjes së Armaldo Kllogjrit, dhe për këtë ende nuk ka një zgjidhje përfundimtare, pos ftesës për artistë të huaj, cilësia e së cilës mbetet për t’u parë. Më poshtë, kemi një intervistë të shkurtër të balerinës Ledia Sulaj, që interpreton në të dyja baletet.
Çfarë të ka dhënë bashkëpunimi me Angjelin Preljocajn?
Më ka dhënë shumë. Të punosh me të, është çdo gjë ndryshe nga ç’jemi mësuar ne, sepse në shkollë ne kemi bazë baletin klasik, ndërsa Preljocaj ka tjetër stil dhe baleti i tij është tërësisht ndryshe, që nga lëvizjet e trupit deri te mënyra se si duhet ta kuptosh e interpretosh vetë baletin. Ai ka ide dhe koncept tjetër, që është abstrakt.
Ç’është për ty shfaqja në Modena?
Kjo në fakt është privilegj për ne. Ka ndodhur që kemi shkuar vetëm në Kosovë apo Tetovë për të interpretuar baletet tona, ndërsa në Modena është ndryshe. Është një teatër i vjetër, gjë që e tregon edhe vetë skena, dhe është një teatër që e ka mbajtur ende gjallë kulturën. Sigurisht, është nder. Kemi punuar fort që të dalim atje sa më mirë. Falënderojmë teatrin tonë dhe drejtorin, sepse ai i ka mundësuar këto eksperienca.
Pse mendoni se u zgjodhët të jeni pjesë e kalendarit të tyre?
Me sa di unë, ata kanë parë një DVD tonën, të “Coppelia”-s dhe “La Stravaganza”-s. “Coppelia” është pëlqyer mbase sepse koreografia ka edhe nota humoristike brenda. Vjen shumë bukur, natyrshëm dhe rrjedhshëm.
Të dyja baletet shfaqen në një natë, me pak pushim mes dy pjesëve. Sa e vështirë do jetë për ty?
Janë dy balete të ndryshme, janë dy role të ndryshme. Te “Coppelia”, që është një balet klasik me puante, personazhi im ka shumë nota humori. Kam rolin e një 18-vjeçareje tekanjoze, e cila dashurohet dhe luan me kukulla. Ka finesën dhe shkathtësinë e një vajze të çlirët. Te “La Stravaganza”, që merret me njeriun që udhëton nëpër botë dhe sheh gjëra të reja. Në të, tekpersonazhi im ndërthuren klasikja dhe modernia, dhe dalin bukur. Unë jam aty një vajzë klasike që dashurohem më një njeri modern. Preljocaj e ka ndërtuar këtë vepër më 1997, bazuar nga eksperienca e tij si emigrant dhe është avangard në idetë e tij. Kam punuar dhe jam përgatitur për to.
Ke emocione apo frikë?
Në fakt, është e lodhshme t’i bësh të dyja në një natë. Në mes do të ketë një pushim rreth 30 minuta, ku publikut i ofrohet një koktej, ndërsa ne përgatitemi për pjesën tjetër, por kam bërë shumë prova dhe shpresoj të dalim mirë.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: