I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Ledio Ilollari përgjegjës sektori në AKU ka folur për riskun e konsumatorit nga ushqimet që blejnë në trotuare, jashtë çdo kriteri dhe roli i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për parandalimin e këtij fenomeni. Sipas Ilollarit këto produkte të tregtuara si “fshati” po rrezikojnë konsumatorin dhe shkelje të tilla janë të patolerueshme e duhet të marrin fund.

“Nuk duhet anashkaluar tregtimi i produkteve informale, që nuk kanë prejardhje, nuk dimë se çfarë janë, të shitura si fshati, që ofrojnë një familjaritet me konsumatorin, duke fshehur një risk të madh të tregtimit të produkteve të sigurta. Duhet të luftohet ky fenomen si një risk i madh i sigurisë ushqimore. AKU nuk është vetëm, por krah autorëve të tjerë institucional, por inspektori më i mirë eshte vetë konsumatori. Përballja e çdo qytetari me këtë fenomen, nuk duhet të jemi indiferentë dhe të bëhemi aleatë të fshehtë të saj. Policia Bashkiake është një nga aktorët më të rëndësishëm pasi rreziku është i jashtëzakonshëm dhe pesha e AKU me informacione, këshillime apo bashkëbisedime. Të gjitha produktet e tregtuara pa një histori mbeten të rrezikshme, pasi nuk di origjinën, prejardhjen e asaj që konsumon. Jemi në terr informativ, kemi të bëjmë me shkelje. Produktet e pulës duhet të tregtohen në ambientet e frigoriferit dhe në gjendje të ngrirë. Është e patolerueshme tregtimi i këtij produkti jashtë frigoriferit, pa ambalazh, përdhe dhe jashtë kushteve higjeno-sanitare. Produktet e pulës duhet të ambalazhohen, mbi të cilin shënohet temperatura dhe të vendoset në frigorifer. Është përgjegjësi e operatorit të biznesit, produkti minimalisht duhet të jetë i etiketuar, pasi është detyrim ligjor nga prodhuesi i vendit dhe importit, ku duhet të jetë në gjuhën shqipe. Dinamika e shkeljeve është nga më të ndryshmet dhe ky fenomen duhet luftuar, duhet të garantojmë siguri dhe për këtë po këmbëngulim. Etiketoni produktet në mënyrë të rregullt, nuk ka rëndësi çfarë produkti është por risku është shumë i lartë kur është në kushte të papërshtatshme. Ka rëndësi ndërgjegjësimi i konsumatorit”, tha Ledio Ilollari.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb