TIRANE– Edhe pse fushata elektorale për zgjedhjet lokale të 21 qershorit, sipas Komisionit Qendror Zgjedhor është parashikuar që të fillojë më 22 maj, ky afat nuk respektohet. Paraditen e sotme, kryetarja e KQZ Lefterie Luzi i ka bërë thirrje partive politike në vend që të ndërpresin fushatën elektorale të filluar para afatit, duke u shprehur se në të kundërt do të merren masa.

Duke ritheksuar se fushata elektorale është vendosur që të fillojë më 22 maj, Luzi thotë se në bazë të Kodit Elektoral do të vendosen sanksione për të gjitha ato forca politike që shkelin parimet e fushatës.

Sipas Luzit, Kodi Elektoral parashikon gjobë 100-500 mijë lekë për të gjitha ato parti që shkelin afatet, dhe që bëjnë fushatë elektorale ndryshe nga sa parashikohet në Kod.

“Fushata zgjedhore fillon më 22 maj sipas përcaktimeve të KQZ. Fushata fillon 30 ditë para datës së zgjedhjeve. Shkelja e këtyre afateve përcakton sanksione. Partitë të ndalojnë fushatën deri në datën 22 maj, pas kësaj datë fushata fillon ashtu siç e parashikon ligji, dhe të gjitha forcat politike do të trajtohen në mënyrë të barabartë”, tha Luzi.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb