NGA VJOLLCA KONGJONI*

TIRANË- Rreth 60 mijë familje shqiptare të cilat kanë ndërtuar pa leje nga 15 janari i 2009 e deri në 27 qershor të 2014-ës do të kenë mundësi t’i legalizojnë ato. Kjo falë ndryshimeve të reja të ligjit “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”. Bëhet fjalë për objektet e ndërtuara në truall shtetëror me funksion banimi, për veprimtari ekonomike apo funksione të tjera social-kulturore. Drafti pritet të shkojë për shqyrtim në komisionet parlamentare javën e ardhshme.

E lancuar disa javë më parë nga vetë kryeministri Edi Rama, legalizimi i rreth 60 mijë objekteve pa leje pritet të bëhet konkret. Qeveria ka çuar në Kuvend draftin e ri me ndryshimet në ligjin “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”.  Në relacionin e paraqitur në Kuvend për këtë projektligj, që shumë shpejt pritet të kalojë për shqyrtim në komisionet parlamentare, sqarohet se ndryshimet janë të nevojshme për shkak të problematikës së mprehtë sociale dhe ekonomike që mbart dukuria e informalitetit në ndërtim. Çka do të thotë se një pjesë e këtyre ndërtimeve kanë funksion strehimi dhe moslegalizimi i tyre do të përkthehej në pamundësi të poseduesve respektivë për të disponuar një banesë të ligjshme. Në procesin e legalizimit do të përfshihen ato ndërtesa që janë ngritur në truall në pronësi shtetërore apo të të tretëve pas datës 15,1 2009. Ky kufi do të spostohet deri në datën 27 qershor të vitit 2014.

Tashmë, do të konsiderohen të përfshira në proces legalizimi, sipas pikës 1, të nenit, të gjitha ndërtimet pa leje të ngritura deri në datën 27 qershor 2014 “… me funksion banimi, për veprimtari ekonomike apo funksione të tjera social-kulturore dhe që posedohen nga individë apo persona juridikë të regjistruar. Këtu përfshihen edhe ndërtimet pa leje, për të cilat subjektet nuk kanë kryer aplikimin për legalizim, sipas afateve dhe procedurave të përcaktuara në këtë ligj”.

Në këtë dokument qeveria sqaron se drafti nuk rrezikon të krijojë asnjë mosrakordim me parashikimet e legjislacionit penal mbi veprën e “ndërtimit të paligjshëm”. Kjo për arsye të nismës për amnistimin nga ndjekja penale të subjekteve që kanë kryer këtë vepër, e cila automatikisht e eliminon mundësinë e trajtimit të ndërtimit si “produkt i veprës penale”.

Me këto ndryshime nuk mund të bëhen më ngatërresa në përllogaritjen e sipërfaqes së parcelës ndërtimore për të cilat do të kryhet kalimi i pronësisë për pronarët e këtyre ndërtimeve informale.

“Në rastin e ndërtimeve me funksion banimi, si rregull, sipërfaqja e parcelës për të cilën miratohet kalimi i së drejtës së pronësisë duhet të jetë deri në masën e trefishit të bazës së ndërtimit, por, në çdo rast, jo më e madhe se 500 m². Për ndërtimet pa leje me funksion social-ekonomik, zbatohet vetëm kriteri i trefishit të sipërfaqes së bazës së ndërtimit.”

Hartimi i këtij projektakti është realizuar nga ALUIZNI dhe Ministria e zhvillimit Urban dhe sipas përllogaritjeve paraprake pritet që  procesi të sjellë në buxhetin e shtetit të ardhura mbi dymbëdhjetë miliardë lekë.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: