Shqipëria po shqyrton mundësinë që të legalizojë kultivimin e marijuanës mjekësore. Kryeministri Edi Rama e hodhi idenë duke thënë se po studiohet mundësia e prodhimit të marijuanës mjekësore dhe nënprodukteve të saj në vend. Kolegia Ardita Dunellari foli me dy ekspertë lidhur me eksperiencën e vendeve që e kanë kaluar këtë proces dhe ndikimin që mund të ketë ky hap mbi problemet sociale dhe nivelin e aktivitetit kriminal:

Kryeministri Edi Rama thotë se po diskutohet mundësia e prodhimit të marijuanës për qëllime mjekësore, si aktivitet i ligjshëm biznesi:

“Konsultimet ne i kemi bërë dhe po i bëjmë me ekspertë në disa vende ku ka pasur eksperienca, jo të legalizimit të hashashit, por të futjes në jetën ekonomike dhe në veprimtarinë sipërmarrëse të vendit të përpunimit të kanabisit mjekësor,” shprehet kryeministri.

Nëse synimi është që ky aktivitet të shërbejë për të shtuar të ardhurat për buxhetin, eksperienca amerikane nuk e mbështet këtë, thotë Profesor Jonathan Caulkins:

“Kultivimi i marijuanës nuk është burim i konsiderueshëm i të hyrave buxhetore; në asnjë nga shtetet amerikane nuk kalon 1% të të ardhurave fiskale”.

Aq më i vogël do të jetë efekti i këtij aktiviteti për të mbështetur shtresat më në nevojë në shoqërinë shqiptare, thonë ekspertët:

“Duke pasur parasysh nivelin e korrupsionit në Shqipëri, nuk e shoh të mundshme që këto fonde të buxhetit të sillnin përmirësim të situatës për shtresat më të varfra të shoqërisë. Problemi kryesor në vende të tilla nuk është droga e paligjshme, por korrupsioni,” thotë Hanna Kassab, autor dhe pegagog në Universitetin e Karolinës Lindore.

Profesor Jonathan Caulkins thotë se shtetet amerikane ku u legalizua marijuana medicinale, u vërejtën pasoja negative tek shtresa më e varfër që merrej ilegalisht me kultivim:

“Legalizimi zhvendos aktivitetin e kultivimit nga më të varfrit, më të paarsimuarit, nga ata që nuk gjejnë dot punë tjetër dhe që mbillnin hashash në mënyrë të paligjshme, tek korporata, tek sipërmarrës me diploma universitare. Kultivimi i ligjshëm nuk krijon mundësi punësimi për ata që janë më në nevojë”.

Në vendet që e kanë kaluar këtë proces, ekspertët nënvizojnë se legalizimi nuk arriti të eliminojë tregun e zi:

“Tregu i zi mund të bashkekzistojë me tregun e ligjshëm për konsum të brendshëm. Në shtetet amerikane që legalizuan prodhimin u fuqizuan edhe prodhuesit pa liçencë, pasi sektori i ligjshëm krijon lehtësira edhe për ta: furnizim të bollshëm me fara, me pajisje për mbjellje, ventilim e ngrohje, ekspertë agronomë,” thotë Jonathan Caulkins, profesor në Universitetin Carnegie Mellon.

Madje, kontrabanda e drogës do të shtohet, parashikon Profesor Caulkins, duke shtuar se të ardhurat nga kanabisi vijnë përmes kontrabandës, jo prej kultivimit:

“Kultivimi nuk paraqet problem. Marijuana është bimë: në vend që të kultivosh domate, kultivon marijuana, me ndonjë ndryshim të vogël. Marijuana është bimë me fitim të madh sepse shitet në treg të zi. Këtë treg e gjejnë trafikantët, që shesin produktin e fermerëve jashtë shteti përmes kontrabandës. Pra rrjetet kriminale do të vazhdojnë të rendin pas këtij fitimi,” thotë zoti Caulkins.

Përvoja e legalizimit të aktiviteteve të tjera të paligjshme ka treguar se rrjetet kriminale reagojnë me shpejtësi për t’iu përshtatur realitetit të ri, thotë Hanna Kassab, profesor në Unversitetin e Karolinës Lindore. Ai sjell si shembull legalizimin e prostitucionin në Amsterdam:

“Në zonën e tregtisë së seksit në Amserdam, krimi është rritur. Prostitucioni i ligjshëm ka tërhequr trafikantë të qenieve njerëzore të cilët sjellin vajza nga Rusia, nga Evropa Lindore”.

Grupet kriminale, thotë profesor Kassab, mund të ndjekin praktikën e “gjobave” duke kërcënuar e zhvatur para nga kultivues të ligjshëm.

Pavarësisht nga masat që merr Shqipëria, thonë ekspertët, kultivimi i marijuanës do të vazhdojë të ushqejë aktivitetin e paligjshëm për sa kohë që marijuana medicinale mbetet e paligjshme në vende të tjera:

“E vetmja gjë më e keqe se një ndalim i plotë i një aktiviteti është të krijosh një ishull të vogël ku legalizohet ky aktivitet. Kjo krijon mundësi për prodhim me kosto më të ulët pasi është e ligjshme dhe rrit sasinë për contrabandë e eksport. Vetëm nëse legalizohet në mbarë Evropën do të ulej potenciali për përfitim nga trafiku i paligjshëm,” thotë Profesor Caulkins.

Në Shtetet e Bashkuara legalizimi qoftë për përdorim mjekësor, apo për kënaqësi personale vazhdon të zgjerohet. Por ekspertët theksojnë se argumenti pro-legalizimit është mbështetur tek liria e individit për të bërë zgjedhjet e veta, si dhe drejtësia sociale, pasi përndjekja penale për kultivim apo tregtim të paligjshëm prekte në masë dërrmuese pakicat me ngjyrë.

Ekspertët theksojnë se legalizimi për përfitime ekonomike apo për luftë kundër krimit nuk është një argument i bazuar në përvojën e deritashme botërore./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb