NGA ORNELA MANJANI

TIRANE- Shkurtohen afatet për pagesën e parcelës ndërtimore për ndërtimet pa leje. Nga 45 ditë që ishte deri tani, me hyrjen në fuqi sot të vendimit nr. 182, datë 9.3.2016, pagesa duhet të kryhet brenda 30 ditëve nga momenti që personi i cili ka ndërtuar pa leje merr dijeni për miratimin e saj. Në rast se personi që ka ndërtuar pa leje nuk kryen pagesën brenda 30 ditëve, nuk pajiset me hipotekë për truallin mbi të cilin ka ndërtuar. Një tjetër ndryshim është edhe masa e penaliteteve për vonesat e pagesave. Përqindja e penalitetit në bazë të funksionit të ndërtimit varion, nga 2% për banesat, deri në 20% për ndërtimet me funksion biznesin, dhe llogaritet mbi koston mesatare të ndërtimit të miratuar nga Këshilli i Ministrave. Tabela e vlerave publikohet nga gazeta.

NDRYSHIMET

Sipas vendimit të miratuar në Këshillin e Ministrave në 9 mars dhe që hyn në fuqi sot, përcaktohet se “pagesa e tarifës së shërbimit të kryhet brenda 30 ditëve nga data e njoftimit me shkrim të ALUIZNI- t”. Ndërsa në pikën 2 të vendimit thuhet: “Për ndërtimet pa leje, njoftimi për pagesën e tarifës së shërbimit (në rastet kur kjo tarifë aplikohet), i dërgohet subjektit në rrugë postare ose i jepet në dorëzim menjëherë pas kualifikimit të ndërtimit për legalizim (data e vendimit të kualifikimit). Në rast mospagimi të tarifës, ALUIZNI, pas miratimit të lejes së legalizimit, e dërgon atë për regjistrim me hipotekë ligjore mbi ndërtimin, sipas nenit 54, të ligjit nr. 33/2012, ‘Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme’”.

Në nenin 54 të ligjit të sipërcituar thuhet se me regjistrimin e pasurisë së paluajtshme, regjistruesi duhet të bëjë regjistrimin e hipotekës ligjore, në seksionin përkatës të kartelës së pasurisë, kur kjo rrjedh nga: aktet juridike, sipas përcaktimeve të nenit 563 të Kodit Civil; aktet administrative të organeve kompetente për sigurimin e detyrimeve tatimore dhe doganore; akteve të tjera, sipas rasteve të parashikuara me ligj.

PENALITETET
“Për llogaritjen e penalitetit të legalizimit të shtesave të subjektit ndërtues, sipas nenit 43, të ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, si çmim minimal fiskal të përdoret vlera e kostos mesatare të ndërtimit të banesave për m2, bazuar në udhëzimin e Këshillit të Ministrave”, thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave. Ndërsa për ndërtimet në zona ku nuk ka vlera të miratuara të kostos mesatare, përllogaritja të kryhet në bazë të mesatares aritmetike të kostove të zonave kufitare.
(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: