Nga: ORNELA MANJANI*
TIRANE – Mosazhurnimi i pasurive nga Zyrat e Regjistrimit të Pasurive dhe mungesa e planeve rregulluese pengojnë dhënien e lejeve të legalizimit në zonat bregdetare. Në qytetin e Sarandës, ku janë shpërndarë shumë pak leje legalizimi, pritet miratimi i masterplanit për zhvillimin e zonës, i cili duket se po mban “peng” procesin e pajisjes me leje legalizimi për ndërtimet pa leje. Ndërkohë, në zonat e mbrojtura në Sarandë është ndërtuar në 1.000 raste pa leje, dhe ndërtuesit kanë vetëdeklaruar e janë në pritje të miratimit të planit urbanistik nga ana e pushtetit vendor për të vijuar me procesin e legalizimeve. Në një intervistë për “Gazetën Shqiptare”, drejtoresha e ALUIZNI-t për Sarandën, Otida Cama, shpjegon procedurat që do të ndiqen për legalizimet në zonën bregdetare dhe zonat e mbrojtura.

Sa është numri i vetëdeklarimeve për ndërtimet pa leje në zonat e mbrojtura në Sarandë?
Numri i vetëdeklarimeve që nga viti 2006 dhe deri tani është afërsisht 1.000 ndërtime pa leje.
Cilat zona mbulon Drejtoria e ALUIZNI-t Sarandë?
Shtrirja gjeografike e Drejtorisë së ALUIZNI-t Sarandë është që nga Bashkia Konispol e deri në Fterr e Çorap, fshatra të Bashkisë Himarë.
Cilat janë zonat e mbrojtura që mbulon drejtoria juaj?
Zonat e mbrojtura janë: Syri i Kaltër, Parku i Butrintit, fshati Manastir në afërsi të Manastirit të Shën Gjergjit, zonat arkeologjike në qendër të qytetit. Por edhe në shtrirje më të gjerë, në Bashkitë Sarandë e Finiq. Do zbatohet ligji i legalizimeve për ndërtimet në këto zona.
Si po vijon procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje në zonën bregdetare?
Në bregdet, duke qenë se jemi në pritje të planeve rregulluese, edhe procesi i legalizimit është në pritje.
Sa leje legalizimi për ndërtimet pa leje janë dhënë deri tani?
Deri tani, nga Drejtoria e ALUIZNI-t janë dhënë 2-3, në rastet kur parcela ndërtimore ka qenë me certifikatë pronësie.
Pse ka ecur kaq ngadalë procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje në zonën e bregdetit?
Bregdeti, me përjashtim të fshatit Borsh, pjesa tjetër është e paazhurnuar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Ka problematika me trojet në këto zona, e deri në zgjidhjen e tyre ne mundohemi ta trajtojmë situatën me delikatesë. Pra, edhe mosazhurnimi i zonës, edhe mungesa e planeve rregulluese pengojnë dhënien e lejeve të legalizimit në këto zona. Jemi në pritje të masterplanit.

Kriteret dhe procedurat për pajisjen me leje legalizimi
Këshilli i Ministrave ka vendosur pak ditë më parë që Drejtoritë e ALUIZNI-t miratojnë lejen e legalizimit brenda 30 ditëve nga momenti i kualifikimit të ndërtimit informal. Leja e legalizimit miratohet për subjektin përfitues, që është sipas rastit aplikuesi për legalizim ose/dhe personi të cilit i janë njohur të drejta mbi ndërtimin pa leje nëpërmjet: veprimeve juridiko-civile (kontratë për kalimin e së drejtës për të legalizuar ndërtimin), trashëgimisë ose me anë të deklaratës së aplikuesit për njohjen e të drejtave mbi ndërtimin dhe vendimit gjyqësor të formës së prerë.

Në vendim përcaktohet që për shtesat informale, kur ndërtimi kryesor (ndërtimi me leje) është tjetërsuar apo nuk është në pronësi të aplikuesit për legalizim, për miratimin e lejes së legalizimit zbatohen përcaktimet e pikës 11, të vendimit nr.280, datë 1.4.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, procedurave e dokumentacionit të zbatueshëm për të kualifikuar ndërtimet pa leje, shtesat anësore dhe/ose në lartësi, në ndërtime me leje”. Brenda 10 ditëve nga data e miratimit, leja e legalizimit, e shoqëruar nga dokumentacioni teknik, i dorëzohet ose i dërgohet në rrugë postare subjektit përfitues.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb