Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Elbasanit, Taulant Balla zhvilloi një bashkëbisedim me banorë e Elbasanit, ku u ndal tek procesi i legalizimit dhe urbanizimit të qytetit. Teksa bëri me dije shifrat, Balla tha se nën qeverisjen e Sali Berishës u legalizuan vetëm 22 mijë banesa në rang kombëtar, ndërkohë që pas 2013 nën qeverisjen e PS u kryen 230 mijë legalizime.

Sa i përket Elbasanit, numri dy i PS theksoi se diferenca është spektakolare. “Në Elbasan diferenca është spektakolare. 603 legalizime për 8 vite në kohën e qeverisjes së Berishës ndërsa nga viti 2013 e deri tani 17445 legalizime. Nëse do kishim pritur ata do duheshin 200 vite që në Elbasan të shkonim këtu ku jemi”, tha Balla.

  • foto galeri

Për të përfunduar procesin e legalizimit Balla shtoi se për këtë nevojitet mandati i ri nën qeverisjen Rama. “Do kujdesemi që këtë proces ta vazhdojmë deri në fund prandaj është e domosdoshme mandati i ri, i cili është dhe mandati i përfundimit të këtij procesi. Në mandatin 2021-2025 i gjithë procesi i legalizimit do të ketë përfunduar dhe ky proces do të përfundojë vetëm me qeverinë Rama dhe me këto institucione të cilat kanë dashur mund për t’u ngritur. Imagjinoni sikur të përmbyset kjo dhe legalizimet në qeverinë e Lulzim Bashës ti besohen LSI-së. Jo vetëm që do paguash por varet dhe çfarë do marrësh. Pastaj për të mos shkuar më tej akoma, imagjino ti marrë legalizimet në këtë vend partia e Fatmir Mediut, e Shpëtim Idrizit, e Vangjel Dules ose e Dash Shehut, edhe pse me këtë të fundit e zgjidh me një gotë raki”, tha ai.

Kreu i Grupit Parlamentar të PS u bëri thirrje qytetarëve që kanë një pronë të vetën, por që nuk e kanë të legalizuar që të pajisen me leje ose certifikatë pronësie. Në fund të fjalës Balla tha se ky proces do të kishte mbaruar më kohë nëse Edi Rama do të kishte ardhur në qeveri më herët.

“Është e pandershme që Edi Rama dhe PS duhet të paguajnë një faturë që nuk e kanë. Shifra e Elbasanit 600 me 17 445, shifra kombëtare 22 mijë me 230 mijë janë shifra domethënëse. Nëse do të kishte vazhduar Saliu me Shabanin bashkë me Lulin brenda procesi i legalizimit do të ishte një bombë sociale sepse plot familje patën investuar aty dhe në asnjë moment banesa nuk iu kthye në kapital. Çdo vit që ne rikualifikojmë rrisim pasurinë e brendshme të këtij vendi. 17445 përfituesit e Elbasanit do të jenë dëshmitarët e një procesi që u hoq nga kthetrat e korrupsionet dhe iu dha mundësia  qytetarëve që të përfitojnë pronat e tyre”, deklaroi Balla.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb