TIRANE- ALUIZNI publikon listën me 199 persona që kanë ndërtuar pa leje dhe kanë lejen e legalizimit. Përfituesit janë në Tiranë të ndarë në njësi bashkiake. Drejtoria e ALUIZNI-t njofton qytetarët se duhet të paraqiten pranë zyrave të ALUIZNI-t për të tërhequr lejen. Ndërkohë që procedurat për marrjen e tapisë do të ndiqen nga AULIZNI, i cili dorëzon dosjen e plotë në hipotekë. Menjëherë pas regjistrimit të certifikatës së pronësisë përfituesit do të njoftohen për tërheqjen e saj. Pas ndryshimeve të fundit ligjore qytetari do të marrë një\ kopje për të vërtetuar mbarimin e procesit të legalizimit, por gjithë procedura vijuese për regjistrimin në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme do të bëhet nga agjencia. Ndërkohë që sipërfaqja e parcelës, për të cilën miratohet kalimi i së drejtës së pronësisë, nuk mund të jetë më e madhe se trefishi i sipërfaqes së bazës së ndërtimit dhe për ndërtimet pa leje me funksion banimi jo më shumë se 500 m². Sipërfaqet mbi masat e përcaktuara në këtë pikë, të cilat, për shkak të përmasave ose konfiguracionit nuk mund të shfrytëzohen më vete për ndërtim, i shiten poseduesit të ndërtimit pa leje sipas vlerës së pronës, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, vetëm nëse ka shprehur më parë vullnetin, nëpërmjet një kërkese me shkrim.
KALIMI I PRONËSISË
Ligji i ri i legalizimeve parashikon që kalimi i pronësisë për objektet me funksion banimi të bëhet për sipërfaqe deri në trefishin e bazës, por jo më shumë se 500 m2. Për sipërfaqet deri në 300m2 toka do të paguhet me gjysmën e vlerës së tregut, por jo më shumë se 2000 lekë/m2 për zonat urbane dhe 1500 lekë/m2 për komunat. Veç kësaj, në ligjin e ri janë përcaktuar edhe disa lehtësi të tjera në pagesën e faturës për tokën e zënë. Kështu për pagesat e menjëhershme aplikohet 20 për qind zbritje. Ndërsa brenda 6 muajve nga data e tërheqjes së faturës, 50% e saj mund të paguhet me letra me vlerë. Një tjetër zbritje që aplikohet është ajo me 10% që bëhet për faturat e energjisë elektrike. Për të përfituar nga ky reduktim shtesë familjet kanë detyrimin që të kryejnë rregullisht pagesat e dritave përgjatë një viti kalendarik.

(Listën e plotë emerore mund ta lexoni sot në Gazeta Shqiptare)

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: