Nga: EGLANTINA ALLIAJ*
Mazhoranca aktuale ka hedhur një hap përpara në drejtim të normalizimit të situatës lidhur me ndërtimet pa leje, duke vendosur të legalizojë edhe ndërtimet e realizuara pas vitit 2009. Deri tani, një gjë e tillë konsiderohej si vepër penale dhe nuk mund të legalizohej. Kjo u paralajmërua para pak ditësh nga vet kryeministri Edi Rama, gjatë shpërndarjes së lejeve të legalimeve, duke thënë se qeveri ka gati projetin për legalizimin e 60 mijë ndërtimeve pas vitit 2009. Projektligji i qeverisë është depozituar më 15 maj në kuvend, dhe është futur në kalendfarin 3 javor të punimeve të kuvendit.

Projektakti synon realizimin e ndryshimeve në ligjin nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, për të arritur një rregullim më të mirë ligjor të procesit të legalizimit, duke marrë në konsideratë të drejtat dhe interesat e kategorive të caktuara të subjekteve, të cilat aktualisht gjenden në kushte të disfavorshme, në raport me përcaktimet e ligjit të sipërcituar. Gjithashtu, një tjetër pikësynim i projektaktit lidhet me përmirësimin e aspekteve administrative të procesit, duke riformuluar disa dispozita/norma, gjatë aplikimit të të cilave, nga praktika e punës së ALUIZNI-t, janë evidentuar paqartësi dhe qëndrime divergjente në interpretim.
Objektivi kryesor i nismës për hartimin e këtij projektligji konsiston në zgjerimin e fushës së zbatimit të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, duke përfshirë në proces edhe ndërtimet e ngritura në truall në pronësi shtetërore apo të të tretëve, pas datës 15.1.2009, e cila deri më tani shërben si kufi kohor për mundësinë e legalizimit të kësaj kategorie objektesh. Ky kufi do të spostohet në datën 27 qershor 2014 në të cilën ka hyrë në fuqi ligji nr.50/2014, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar”. Sikurse u përmend edhe më sipër, objektiv tjetër është ai i rritjes së qartësisë së ligjit, çka do të rezultojë në rritje të frytshmërisë në veprimtarinë e institucioneve të ngarkuara me zbatimin e tij.

Argumenti

Numri i madh i ndërtimeve pa leje dhe, për pasojë, edhe i subjekteve të mbetura jashtë fushës së zbatimit të ligjit (i cili sipas të dhënave paraprake vlerësohet të jetë rreth 60 mijë), është në vetvete tregues i përparësisë në miratimin e projektaktit të paraqitur për shqyrtim. Kjo për arsye të problematikës së mprehtë sociale dhe ekonomike që mbart dukuria e informalitetit në ndërtim. Në këtë kontekst, sqarojmë se një pjesë e këtyre ndërtimeve kanë funksion strehimi, çka do të thotë se moslegalizimi i tyre do të përkthehej në pamundësi të poseduesve respektivë për të disponuar një banesë të ligjshme dhe për ta gëzuar atë, si send, në kuptimin e plotë juridiko-civil të fjalës. Për më tepër, legalizimi, në rastin konkret, legjitimohet nga iniciativa e ligjvënësit për amnistimin e veprës penale të “ndërtimit të paligjshëm”, të kryer mbi truallin në pronësi shtetërore ose të të tretëve. Duke qenë se me propozimin e kësaj amnistie, ndërtimet e paligjshme do ta humbisnin cilësinë e produktit të mundshëm të veprës penale, tashmë legalizimi i tyre, në rrafshin parimor, nuk do të binte ndesh me legjislacionin penal.
Së fundi, duke u nisur nga nevoja për përshpejtimin dhe përmbylljen sa më të shpejtë të procesit të legalizimit, (e cila është më se e prekshme qoftë për arsyet e natyrës sociale-ekonomike, qoftë për arsyet e lidhura me sigurinë juridike), është e qartë se projektakti u përgjigjet plotësisht përparësive aktuale, nëse marrim parasysh faktin se, sikurse u përmend në krerët pararendës të këtij relacioni, ndryshimet ligjore të synuara prej tij do të ndikojnë në mënyrë pozitive në administrimin e procesit.

Ndërtimet në pronësi shtetërore apo të të tretëve

Zgjerimi i fushës së zbatimit të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, me ndërtimet e ngritura mbi tokë në pronësi shtetërore apo të të tretëve, pas datës 15.1.2009, nuk rrezikon të krijojë mosrakordim me parashikimet e legjislacionit penal mbi veprën e “ndërtimit të paligjshëm”. Kjo për arsye të nismës për amnistimin nga ndjekja penale të subjekteve që kanë kryer këtë vepër, e cila automatikisht e eliminon mundësinë e trajtimit të ndërtimit si “produkt i veprës penale”.
Më tej, ndryshimet e propozuara nëpërmjet projektligjit do të realizonin gjithashtu një kohezion më të lartë mes dispozitave të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, dhe atyre të “Kodit të familjes”, për sa i përket respektimit të regjimeve pasurore martesore. Konkretisht, siç do të shtjellohet më gjerë në vazhdim, projektligji lejon mundësinë e regjistrimit të pasurisë së legalizuar, në përputhje me regjimin pasuror martesor të zgjedhur nga bashkëshortët. Ndërkohë, që përmbajtja aktuale e ligjit “Për legalizimin urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, parashikon vetëm regjistrimin sipas regjimit të bashkësisë ligjore.

Cilat ndërtime përfshihen

Neni 1 ndryshon përmbajtjen e nenit 2, të ligjit në fuqi, duke ripërcaktuar fushën e zbatimit të tij. Tashmë, do të konsiderohen të përfshira në proces legalizimi, sipas pikës 1, të nenit, të gjitha ndërtimet pa leje të ngritura deri në datën 27 qershor 2014 “… me funksion banimi, për veprimtari ekonomike apo funksione të tjera social-kulturore dhe që posedohen nga individë apo persona juridikë të regjistruar.
Këtu përfshihen edhe ndërtimet pa leje, për të cilat subjektet nuk kanë kryer aplikimin për legalizim, sipas afateve dhe procedurave të përcaktuara në këtë ligj.”. Pikat 2 dhe 3 të nenit janë në përmbajtje të njëjta me pikat 3 dhe 4 të tij, sipas ligjit në fuqi.
Neni 2 synon shfuqizimin e shkronjës gj/1, të nenit 3 “Përkufizime”, e cila jep përkufizimin e “kartelës së regjistrimit të pasurisë së paluajtshme të legalizuar”. Ky shfuqizim është i nevojshëm pasi ky dokumentacion plotësohet vetvetiu prej ZRPP-ve gjatë regjistrimit të pasurive të legalizuara dhe parashikimi i saj si pjesë e dokumentacionit tekniko-ligjor për t’u hartuar nga ALUIZNI del jashtë kompetencave të këtij institucioni.
Neni 3 i projektligjit ndryshon pikën 1, të nenit 17, duke synuar qartësimin e plotë të rregullave të aplikueshme gjatë përllogaritjes së sipërfaqes së parcelës ndërtimore, për të cilat do të kryhet kalimi i pronësisë në favor të poseduesve të ndërtimeve informale. Ky riformulim shmang mundësinë për pasaktësi gjatë aplikimit të dispozitës, duke eliminuar fleksibilitetin në interpretimin e saj. Kjo është veçanërisht e rëndësishme nëse marrim parasysh natyrën e çështjes së rregulluar nga ky nen (të drejtën për kalimin në pronësi të truallit- kufijtë e madhësisë së parcelës). Tanimë, do të jetë e shprehur në mënyrë të pangatërrueshme se: “Në rastin e ndërtimeve me funksion banimi, si rregull, sipërfaqja e parcelës për të cilën miratohet kalimi i së drejtës së pronësisë duhet të jetë deri në masën e trefishit të bazës së ndërtimit, por, në çdo rast, jo më e madhe se 500 m².
Për ndërtimet pa leje me funksion social-ekonomik, zbatohet vetëm kriteri i trefishit të sipërfaqes së bazës së ndërtimit.”
Gjithashtu, në fund të dispozitës, për efekt të krijimit të një kuadri nënligjor që do të rregullojë procedurat dhe afatet e realizimit të kalimit të pronësisë, i cili do të rrisë frytshmërinë në administrimin e procesit, është parashikuar autorizimi për Këshillin e Ministrave për të miratuar një vendim të posaçëm, për këtë qëllim.
Neni 4 i projektligjit ndryshon përmbajtjen e pikës 1, të nenit 30, të ligjit, duke siguruar një përqasje më të plotë të tij me Kodin e Familjes, për sa i përket regjimeve pasurore martesore. Sipas ligjit në fuqi, për regjistrimin e pasurisë së legalizuar, ZRPP-ja zbaton dispozitat e Kodit të Familjes mbi “Regjimin pasuror martesor në bashkësi”. Por, sikurse dihet, ky nuk është i vetmi regjim pasuror i parashikuar nga Kodi. Përpos tij, është i parashikuar edhe regjimi i pasurive të ndara ose mundësia e bashkëshortëve për të lidhur marrëveshje të veçantë mbi të drejtat pasurore që do të krijohen/fitohen prej tyre gjatë martesës. Për këtë arsye, e gjykojmë të cunguar parashikimin vetëm të regjistrimit sipas bashkësisë ligjore, nga ligji “Për legalizimin urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar. Rrjedhimisht, riformulimi i propozuar i 4 pikës 1, të nenit 30, konfirmon faktin që, për regjistrimin e pasurisë së legalizuar, do të zbatohen dispozitat mbi regjimet pasurore martesore në tërësi, duke respektuar marrëveshjen e mundshme të bashkëshortëve (subjekteve).
Në vijim, ndryshohet gjithashtu me anë të nenit 4, paragrafi i fundit i nenit 30, duke synuar një risaktësim të autorizimit të Këshillit të Ministrave për nxjerrjen e aktit nënligjor të parashikuar në të. Tanimë, me vendim të Këshillit të Ministrave do të përcaktohen, gjithashtu edhe “procedurat dhe afatet e aplikueshme gjatë bashkëpunimit ndërmjet ALUIZNI-t dhe ZRPP”. Ky rregullim ka rezultuar i nevojshëm nga evidentimi i problematikave të shumta gjatë korrespondencës së mbajtur mes ALUIZNI-t dhe ZVRPP-ve, çka sjell nevojën e normimit të procedurave dhe afateve për dërgimin e informacionit për pasuritë në proces legalizimit nga ana e zyrave të regjistrimit. Në analizë të fundit kjo do të sjellë sërish rritje të frytshmërisë në administrimin e procesit.
Për sa i përket nenit 45/1 “Dispozita kalimtare”, e amenduar sipas nenit 5, të këtij projektligji, sërish në funksion të qartësimit, është i nevojshëm ndryshimi i pikës 2, të këtij neni. Arsyeja për këtë ndërhyrje lidhet me konfirmimin sërish të faktit se ndërtimet pa leje të përfshira në fushën e zbatimit të ligjit “nuk u nënshtrohen procedurave, afateve dhe kushteve që lidhen me vetëdeklarimin pranë njësive të qeverisjes vendore.”.

Efektet financiare

Për sa i përket efekteve financiare të projektligjit, shpenzimet buxhetore (paga, sigurime shoqërore dhe shëndetësore) do të kryhen nga administrata aktuale e ALUIZNI-t, (numri i punonjësve buxhetorë të miratuar) si detyrë funksionale e saj. Një parashikim i efektit të përafërt në buxhet, i zgjerimit të fushës së zbatimit të ligjit në ligjin nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, përsa u përket të ardhurave që do 5 të mblidhen, pritet të jetë: 12 150 000 000 (dymbëdhjetë miliardë e njëqind e pesëdhjetë milionë) në lekë dhe 15 000 000 000 (pesëmbëdhjetë miliardë) në bono privatizimi.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: