NGA ORNELA MANJANI

TIRANE- Rreth 30 mijë familje në të gjithë vendin që kanë blerë shtëpi në pallate ku është shkelur leja e ndërtimit nga pronarët do të pajisen me hipotekën e shtëpive. Në procesin e legalizimit do të përfshihen 1.320 pallate në të gjithë vendin, 700 prej të cilave janë në Tiranë. Numri i familjeve që do të marrin tapinë e shtëpisë pavarësisht faktit se ndërtuesi ka shkelur lejen duke ndërtuar shtesa në lartësi ose anësore, vetëm në Tiranë është 18 mijë.

Punonjësit e ALUIZN-it do të kryejnë matjet në terren dhe do të përfundojnë gjithë procedurën deri në pajisjen me tapi. Vendimi është marrë dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave dhe parashikon gjithë procedurën që duhet të ndjekin përfituesit për t’u pajisur me tapi. Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni bën të ditura detajet e vendimit.

VENDIMI

Këshilli i Ministrave miratoi projektvendimin “Për përcaktimin e rregullave të legalizimit të objekteve me leje ndërtimi, në të cilat janë kryer shtesa anësore ose në lartësi ose ndryshime të funksionit të hapësirave dhe të objekteve shumëkatëshe pa leje, të destinuara për kalimin e së drejtës së pronësisë apo qiradhënien”. Ky projektvendim u hartua nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe ALUIZNI, në zbatim të neneve 36 dhe 43/1 të ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar.

“Sipas të dhënave që kemi, janë rreth 30 mijë familje në Republikën e Shqipërisë, të cilat jo për faj të tyre, nuk kanë mundur të marrin hipotekën e pronës ku jetojnë. Në të gjithë vendin numërohen rreth 1.320 pallate që preken nga ky vendim, 700 prej të cilave janë në territorin në administrim të Bashkisë së Tiranës. Këto familje, edhe pse e kanë blerë pronën në mirëbesim, nuk janë bërë pronarë, për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve ligjore nga ana e ndërtuesve. Pra, qytetarët të cilët kanë shlyer detyrimet e tyre financiare ndaj ndërtuesve të pallateve, nuk mund të penalizohen prej këtyre ndërtuesve, të cilët nuk kanë respektuar rregullat apo detyrimet ligjore”, – tha Gjermeni.

Ministrja bëri të ditur se vendimi i miratuar dje nga qeveria i jep zgjidhje përfundimtare kësaj problematike të mbartur në vite dhe bën të mundur legalizimin e pronave për këto familje. “Nga njëra anë rregullohet e drejta e regjistrimit të banesave nga individët që i kanë blerë dhe, nga ana tjetër, synohet vjelja e të gjitha detyrimeve financiare nga ndërtuesit dhe investitorët.

Ligjërimi i pronës nëpërmjet këtij vendimi, bën të mundur disponimin dhe qarkullimin e saj në tregun e lirë. Në aspektin ekonomik pritet të ketë një ndikim pozitiv në financat e këtyre familjeve si dhe në financat e njësive të qeverisjes vendore dhe buxhetit të shtetit. Me gjithë vështirësitë e hasura, për shkak të problematikës së mbartur, Ministria e Zhvillimit Urban dhe ALUIZNI mbeten plotësisht të angazhuar për finalizimin e procesit të legalizimit. Në funksion të kësaj ecurie, që prej vitit 2014, MZHU ka ndërmarrë 4 nisma ligjore të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë, si dhe 24 vendime të Këshillit të Ministrave, një prej të cilave sapo u miratua”, – tha Gjermeni.

LEGALIZIMET
Deri më sot janë kryer 110 mijë legalizime, 90 mijë vetëm në vitet 2014-2016 ose, thënë ndryshe, 5 herë më shumë se në tetë vitet e qeverisjes së mëparshme. Megjithatë, ekziston një kategori qytetarësh të cilët nuk kanë mundur të përfitojnë nga ky angazhim madhor i qeverisë.

LEGALIZIMI I OBJEKTEVE ME SHTESA
Ky ligj i shtrin efektet edhe për legalizimin e objekteve, me leje ndërtimi nga autoriteti vendor i planifikimit – apo KKT-ja, te të cilat janë kryer shtesa anësore apo në lartësi, tej lejes së ndërtimit. Këtu përfshihet edhe legalizimi i objekteve të miratuara me vendim të autoritetit vendor të planifikimit – së njësisë së qeverisjes vendore ose të KKT-së, të cilat kanë ndryshime në funksionin e hapësirave.
NENI 43/1
1. Për subjektet ndërtuese, që janë në kushtet e nenit 99, të ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, apo që nuk plotësojnë dokumentacionin e përcaktuar në këtë ligj, procedurat për dhënien e lejes së legalizimit vijojnë me poseduesit e ndërtimit pa leje, shtesës anësore dhe/ose në lartësi. Këshilli i Ministrave, rast pas rasti, përcakton procedurat e veçanta të legalizimit, në favor të subjekteve të përcaktuara në këtë pikë, si dhe rregullat për
përfundimin e procedurës nga subjektet dhe/ose shoqëritë ndërtuese që nuk plotësojnë dokumentacionin përkatës.
2. Për subjektet, shoqëritë ndërtuese dhe/ose investitorët, detyrimi për pagesën e penaliteteve, sipas nenit 43, të këtij ligji, nuk shuhet.
Ky detyrim mblidhet nga organet tatimore, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi.
Penalitetet për legalizimin e shtesave të subjektit ndërtues
1. Subjektet, shoqëri ndërtuese dhe/ose investitorë, që kanë kryer shtesa anësore apo në lartësi tej lejes së ndërtimit, si dhe ndryshim të funksionit të hapësirave, me qëllim kalimin e së drejtës së pronësisë apo qiradhënien, paguajnë për efekt të legalizimit, për llogari të ALUIZNI-t, këto penalitete:
a) 2 për qind të çmimit minimal fiskal, për çdo m² sipërfaqe banimi;
b) 5 për qind të çmimit minimal fiskal, për çdo m² sipërfaqe që shfrytëzohet për veprimtari social-ekonomike;
c) 10 për qind të çmimit minimal fiskal, për çdo m² sipërfaqe që është bërë ndryshim destinacioni.
2. Çmimi minimal fiskal dhe vlera e tregut, në kuptim të pikës 1 të këtij neni, përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: