TIRANË

Deklarata e shumicës qeverisëse për të legalizuar kanabisin për qëllime mjekësore ka ngjallur polemika të shumta, teksa opozita është vendosur menjëherë kundër. Debati është zhvendosur mbrëmjen e sotme edhe në emisionin “Frontline” në News24, ku ka qenë i ftuar zëvendës ministri i Brendshëm Julian Hodaj, avokati Eugen Beçi si dhe mjeku toksikolog Alban Haxhi.

Avokati Beçi tha se këshillimi kombëtar nuk është një minireferendum, por një sajesë dhe se bëhet fjalë për një lloj propagande që nuk e shpjegon se kudo të dalë.

“Tërheqja e mendimit të publikut për tema të nxehta, mënyra si merr pjesë aktivisht publiku, ka dy mënyra, referendumi dhe zgjedhjet e drejtpërdrejta me votim. Këshillimi kombëtar është një sajesë. Nuk është minireferendum. Nuk është bërë këshillimi kombëtar për çdo ilaç në Shqipëri. Ishte një lloj propagande që nuk e shpjegon se kudo të dalë”, tha Beçi.

Mjeku Haxhi tha se në Shqipëri nuk është se gjejmë një përdorim të miratuar. “Ka teori disa të faktuara, disa jo. Asgjë nuk është e faktuar shkencërisht, të paktën në informacionin që ne kemi. Kanabisi është një lëndë e cila ka shumëllojshmëri si në përdorim, disa mund të përdoren në farmaceutikë, disa mund të abuzohen, por mbeten teknika për të cilat mund të punojë shteti”, tha ai.

Ndërkohë zëvendës ministri i Brendshëm deklaroi se nuk është një shpikje dhe se shumë vende dhe më të zhvilluara e kanë lejuar dhe e kanë të rregulluar me ligj.

“Askush nuk po pretendon që këshillimi kombëtar të jetë ligj, qeveria po e përdor për të marrë opinionin e qytetarëve. Një numër sh i madh i atyre që janë përgjigjur është shprehur se mund të ishte pozitive në disa aspekte. Flasim për një treg të njohur. Nuk po shpikim ujin e nxehtë ne sot, ka nisur që në 2000, në shtete më të përparuara se ne. Ka një mori shtetesh që e kanë të lejuar dhe të rregulluar. Kjo është një mënyrë që përdor qeveria për të mbledhur opinione. Nga këshillimi kombëtar rezulton se shumica e shqiptarëve e shohin të favorshme si një sektor që mund të gjenerojë vende pune dhe të ardhura për ekonominë. Askush nuk pretendon se ky këshillim kombëtar të jetë referendum.

Kush është kundër kur nisma ligjore të jetë gati, ka mundësinë ta sfidojë. Për përdorimin, ajo që di që shumë medikamente bëhen me bazë kanabisi. Ka disa përdorime dhe shumë lloj përdorimesh”, deklaroi Hodaj.

Sipas tij, nga pikëpamja e sigurisë nuk ka asnjë lloj problemi, po flasim për kultivim të kontrolluar, do ketë licenca për subjekte të caktuara dhe jo kushdo mund të ketë një licencë.

“Bëhet fjalë për sipërfaqe të kontrolluara dhe me masa sigurie.

Jo gjithkush mund të ketë mundësi që ta mbjellë. Nuk do mbillet kudo në Shqipëri. Do ketë masa sigurie të shtuara mbi këto sipërfaqe të mbjella. Kemi dhe eksperiencën e Italisë që e ka këtë gjë, që e kontrollon.

Personat që do të merren me këtë lloj aktiviteti do jenë të kontrolluar. Kushdo që kërkon licencën do kontrollohet, do ketë një burim besueshmërie. Do ketë dhe një kontroll mbi njerëzit që do të kenë akses mbi këto sipërfaqe. Ushtrohet dhe ai që është kontroll efektiv i territorit. Do ketë kontrolle periodike të shpeshta. Unë besoj që pjesën kryesore e ka policia.

Unë nuk shoh ndonjë ndërthurje të pjesës të asaj që ka qenë fenomeni dhe pjesës ligjore. Vitet e fundit ne kemi treguar, qeveria shqiptare ka treguar që lufta ndaj kanabisit është fituar”, tha zv.ministri Hodaj.

Ndërkohë avokati Beçi deklaroi se nëse flitet për kultivim të kanabisit për qëllime mjekësore nuk është e nevojshme një këshillim kombëtar.

“Për çdo risi, për çdo iniciativë, normal që ka vështirësitë e veta fillestare. Në rast se nuk bëhet fjalë për legalizim se do ishte një përmbysje e legjislacionit sepse ka lidhje dhe me mekanizmat ndërkombëtare. Flasim për kanabisin mjekësor dhe nuk e di pse ka nevojë për kaq këshillim. Nuk ka pasur ndonjë sukses të jashtëzakonshëm dhe kultivimi në Maqedoninë e Veriut”, tha Beçi.

Ndërsa sipas Hodaj, më tepër se 100 mln euro në vit që në Maqedoni gjenerohet nga ky lloj aktiviteti.

Ai shtoi më tej se Ministria e Brendshme preokupohet për aspektet e sigurisë dhe se kriteret tregtare apo tipike të këtij lloj ushtrimi janë akoma duke u diskutuar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb