Ish-futbollistët e kombëtares sonë të futbollit, Igli Tare, Alban Bushi, Klodian Duro, Altin Haxhi, Foto Strakosha dhe Erion Bogdani iu përgjigjën ftesës së kryebashkiakut Veliaj për të mbjellë pemë në pjesën jugore të Parkut të Liqenit, e cila vetëm pak vite më parë ishte shndërruar në hapësirë grumbullimi mbetjesh urbane.

Veliaj falenderoi legjendat e kombëtares për çfarë kanë dhënë në fushë si kampionë dhe për gatishmërinë për të treguar qytetari me mbjelljen e pemëve. “Jam shumë krenar që kemi një skuadër “All Stars”, skuadrën e ëndrrave të Shqipërisë në ditët më të mira. Kush është kampion i vërtetë është i tillë në çdo fushë, jo vetëm në fushën e blertë, por edhe në fushën e mjedisit, të familjes dhe komunitetit. Jam krenar që jam këta kampionë, mbi të gjitha si qytetarë, dhe besoj se një akt i vogël qytetarie i mbjelljes së një peme, është një mesazh që japim për gjeneratën që vjen. Shumë prej nesh thamë se nuk kishim kapur lopatë prej vitesh, por besoj se për një kauzë të mirë të gjithë japim kontribut”, tha ai.

Kryebashkiaku shtoi se sporti dhe mjedisi janë të domosdoshme për një jetë të shëndetshme. Ai theksoi se shumë të rinj që merren me sport po ndërgjegjësohen çdo ditë e më shumë edhe për mjedisin që na rrethon. “Kur një kryetar bashkie ose një menaxher qyteti pyetet për asetet, flet për rrugë, për sheshe, për pazare, për shkolla, për ndërtesa. Ndonjëherë e harrojmë se aseti numër një janë njerëzit. Sepse qytete pa bulevard, pa sheshe ka, por qytete pa njerëz nuk ka. Na ka kapur mania për të përdorur gjithmonë makinat që shkaktojnë ndotje, në këtë kazino-kapitalizmin e 30 viteve të fundit, ‘kap ça të kapësh’, pa menduar mendo për natyrën. Por, besoj se po vjen një gjeneratë e re, me çuan dhe goca që duan të merren me sport dhe që po e ndjejnë çështjen e mjedisit”, shtoi Veliaj.

Ai informoi ish-futbollistët me nismën e Bashkisë së Tiranë për të mbjellë 2 milionë pemë, ndërsa theksoi transformimin që ka pësuar pikërisht kjo pjesë e parkut duke u kthyer në një nga hapësirat më të preferuara edhe për ata që duan të merren me sport. “Kemi transformuar një territor që ishte komplet i degjeneruar dhe i degraduar. Natyra ka një të mirë: po u solle mirë me të, ta kthen të mirën; shikoni çfarë lulëzimi është bërë aty ku më parë ishte vetëm pushtim dhe zaptim. Ne mund të kemi opinione të ndryshme për politikën, por biem dakord që çunat dhe gocat e rinj duhet të merren me sport dhe duhet të rrinë pranë natyrës. Ka qenë çelësi i suksesit për këta çuna, mund të jetë edhe për një gjeneratë tjetër çunash dhe gocash”, tha kryetari i bashkisë.

Legjenda e portës së skuadrës tonë kombëtare, Foto Strakosha falenderoi kryetarin Veliaj për këtë nismë, me shpresën se prania e ish-futbollistëve të ndërgjegjësojë edhe qytetarë të tjerë që t’i bashkohen mbjelljes së pemëve. “Shpresoj që qoftë edhe ky ngacmim i vogël nga një grup ish-futbollistësh të vjetër, të jetë ajo ana pozitive për një të ardhme më të mirë dhe më të bukur, jo vetëm për Tiranën, por për të gjithë Shqipërinë. Shpresoj që kjo të ketë vazhdimësi dhe të ketë një të ardhme më të mirë”, tha Strakosha.

Ish-sulmuesi ynë i kombëtares, sot një nga drejtorët sportiv më të suksesshëm në Itali, Igli Tare, tha: “Është një kënaqësi e madhe. Kam mundësinë t’i ndjek gjithmonë nga jashtë këto nisma shumë të bukura, të organizuara në mënyrë perfekte nga ana e Bashkisë, për të dhënë kontribut edhe sa do të vogël sot për rritjen e mirëqenies dhe mbi të gjitha, edhe për të dhënë mesazhe për brezat e ardhshëm. Ky është një park ku ne kemi lidhur fëmijërinë tonë, shumë pjesë e rinisë tonë është e lidhur me këtë park ku kemi pasur mundësi të stërvitemi. Kështu që, është një kënaqësi e veçantë që sot ndodhemi këtu nëpërmjet një mesazhi inkurajues për brezat e ardhshëm. Të japim çdokush nga ne një kontribut sado të vogël, por që do të jetë për të mirën e brezave të ardhshëm”, tha Tare.

Ish sulmuesi tjetër i kombëtares tonë të futbollit, Alban Bushi përmendi ndryshimin që po pëson Tirana, me më shumë gjelbërim, parqe, kënde lojërash e ambiente sportive. “Së fundi Tirana po krenohet për shumë gjëra, me parqe lodrash, me mbjellje pemësh, me shumë e shumë gjëra të tjera. Por, një nga gjërat kryesore që ka Tirana në këto momente është Parku i Liqenit. Jo vetëm që i jep shumë oksigjen Tiranës, sepse më parë nuk e kishim këtë lloj oksigjeni. Kemi parë si ishte Tirana më parë dhe se si është tani; por sa i përket anës sportive, këtu stërviten shumë njerëz, marrin oksigjen, stërviten edhe shumë fëmijë të vegjël. Dikur edhe ne jemi stërvitur këtu, kur kemi qenë me të rinjtë e Tiranës. Nuk kishte shumë hapësira ose vraponim nëpër ato kodrat, ku edhe ndonjëherë mund të thyenim edhe këmbën. Kurse tani, shikoni sesi është, ka edhe pista për të bërë vrap. Mendoj që ta vazhdojmë këtë nismë, të mbjellim edhe më shumë pemë, jo vetëm ne sportistët, por të gjithë qytetarët e Tiranës”, tha Bushi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb