“Santiago Bernabeu” mirëpriti një ndeshje miqësore mes legjendave të Real Madrid dhe atyre të Romës ku nuk mungoi spektakli.

Ronaldo, Roberto Carlos, Raul dhe Cafu ishin disa nga emrat që krijuan sensacion me rikthimin në fushën e blertë, aty ku bënë të argëtohet miliona futbolldashës.

Mbi të gjitha u dallua Luis Figo që dukej sikur ktheu vitet mbrapa duke realizuar një gol mbresëlënës nga goditja e dënimit. “Galaktiku” shenjëstroi në perfeksion nga afërsisht 20 metra portën verdhekuqe duke dërguar rezultatin në 2-0.

Ndeshja ishte e organizuar nga “Fondacioni Real Madrid” që i dërgoi të gjithë të ardhurat nga biletat për bamirësi.

Kjo nuk është hera e parë që legjendat e Real Madrid zhvillojnë ndeshje të tilla kohët e fundit. Më parë me ‘glaktikët’ kishin luajtuar Manchester United dhe Bayern Mynchen.

Nga 7 ndeshjet e fundit që yjet e Real Madrid në të shkuarën kanë zhvilluar me ekipe të tjera, 6 prej tyre i kanë fituar ndërsa barazimi i vetëm është kundër Interit në 2014.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb