Presidenti Joe Biden i ripërsëriti të enjten Kancelares gjermane Angela Merkel shqetësimin e tij lidhur me projektin madhor, e gati të përfunduar të transportimit të gazit nga Rusia në Evropë, por ai shtoi se ra dakord me zonjën Mekel, që të mos e lejojnë Rusinë që ta përdorë energjinë si armë.

Dy udhëheqësit diskutuan mbi qëndrimet e ndryshme lidhur me gazjellësin “Nord Stream 2” gjatë një vizite miqësore, lamtumire për zonjën Merkel ndërsa ajo ndodhet pranë fundit të një karriere politike që ka zgjatur sa katër mandate presidenciale amerikane.

Gjatë fjalës së tij në konferencën për shtyp Presidenti Biden tha se: “ne jemi të bashkuar në angazhimin tonë për të trajtuar problemet me demokracinë, korrupsionin dhe populizmin e rremë në Bashkimin Evropian, mes vendeve kandidate për t’u anëtarësuar në BE, apo kudo në botë”.

“Ne jemi dakord mbi rëndësinë e integrimit të mëtejshëm të Ballkanit Perëndimor në institucionet evropiane”, tha Presidenti Biden.

Ai foli gjithashtu mbi mbështetjen vazhdueshme që Uashingtoni dhe Berlini i japin “sovranitetit dhe integritetin territorial të Ukrainës, vazhdimit të reformave dhe mbështetjes së aspiratave Euro-Atlantike të saj”.

Presidenti amerikan tha se SHBA-ja dhe Gjermania “do të vazhdojnë të qëndrojnë së bashku për të mbrojtur aleatët e krahut lindor të NATO-s, kundër agresionit rus”.

“Personalisht më duhet t’u them se do të më mungoni gjatë samiteve tona”, i tha zoti Biden zonjës Merkel, gjatë konferencës për shtyp në Shtëpinë e Bardhë të enjten, pasdite vonë.

Nga ana e saj zonja Merkel, e cila kishte një marrëdhënie mjaft të vështirë me ish-Presidentin Donald Trump, tregoi lehtësi dhe familjaritet në komunikimin me Presidentin Biden.

Por pavarësisht ngrohtësisë personale mes tyre, marrëdhënia SHBA-Gjermani ndodhet në një pikë kthese ndërsa zonja Merkel, e cila nuk do të konkurrojë për një mandat tjetër në zgjedhjet e shtatorit, ndodhet pranë largimit nga detyra. Nga të dyja palët ka shqetësime rreth asaj se si dy vendet do t’i negociojnë në vazhdim mosmarrëveshjet në rritje.

Shtetet e Bashkuara kanë argumentuar prej kohësh se projekti “Nord Stream 2” do të kërcënojë sigurinë energjetike evropiane, duke rritur varësinë e kontinentit nga gazi rus dhe duke i mundësuar Rusisë të ushtrojë presion politik mbi vendet e dobta të Evropës Lindore dhe Qendrore, veçanërisht Ukrainës. Por Presidenti Biden hoqi dorë kohët e fundit nga sanksionet kundër kompanive gjermane të përfshira në projekt, një veprim që zemëroi shumë anëtarë të Kongresit.

Zonja Merkel u përpoq t’i minimizonte diferencat në qëndrime dhe theksoi se gazsjellësi ishte një projekt shtesë dhe nuk kishte për qëllim të zhvendoste tubacionet e Ukrainës.

Dy udhëheqësit kanë diskutuar edhe mbi Kinën. Kancelarja Merkel tha se ekziston një mirëkuptim me SHBA-në, se Pekini është “rivali ynë” sikurse u shpreh ajo.

Presidenti Joe Biden tha të enjten gjithashtu se Shtetet e Bashkuara po rishikojnë mundësitë se kur mund t’i heqin kufizimet që ndalojnë shumicën e shtetasve jo-amerikanë të udhëtojnë drejt Shtetet e Bashkuara nga pjesa më e madhe e vendeve të Evropës. Një çështje që siç tha ai e kishte ngritur gjatë takimit, Kancelarja gjermane Angela Merkel.

“Tashmë është në proces”, tha zoti Biden rreth afatit se kur mund të hiqen kufizimet. Ai tha se do të jetë në gjendje t’i përgjigjet kësaj pyetjeje “brenda disa ditësh”, duke shtuar se po pret informacion nga ekipi amerikan i COVID-it se kur duhet bërë një gjë e tillë.

Duke folur mbi këtë çështje zonja Merkel shtoi se kishte diskutuar me zotin Biden edhe mbi ndikimin e variantit Delta të COVID-it:

“Duhet të jetë një vendim i qëndrueshëm. Sigurisht nuk do të ishte e arsyeshme të tërhiqeshim prej tij pas disa ditësh”, tha zonja Merkel.

Kancelarja Merkel e filloi ditën e saj me një mëngjes pune me Zëvendës Presidenten Kamala Harris. Zyra e zonjës Harris tha se mes tyre kishte patur një “diskutim shumë të sinqertë”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: