Kryeministri holandez, Mark Rutte e ka pranuar të hënën se kufizimet për koronavirus, janë lehtësuar më shpejt sesa është dashur, prandaj ka kërkuar falje. Numri i të infektuarve në Holandë është rritur në nivelet më të larta këtë vit. Të premten e javës së kaluar, Rutte ka vënë kufizime në bare, restorante dhe klube të natës, duke bërë përpjekje që të ndalë zinxhirin e infektimeve te të rinjtë, vetëm dy javë pasi shumica e masave të izolimit janë hequr në këtë shtet.

“Çfarë kemi menduar se është e mundur, doli të mos jetë e mundur në praktikë”, u ka thënë Rutte gazetarëve të hënën. “Nuk kemi pasur gjykim të drejtë, na vjen keq dhe kërkojmë falje”. Kërkimfalja e tij përbën kahje tjetër, për dallim nga qëndrimi që ka pasur të premten, kur ka mbrojtur lehtësimin e masave dhe ka refuzuar që të marrë fajin për keqmenaxhimin eventual të situatës nga Qeveria e tij.
Kjo qasje e së premtes më pas ka nxitur kritika nga autoritetet shëndetësore, të cilat kanë thënë se Qeveria ka inkurajuar të rinjtë që të dalin sërish. Deri më tani, rritja e numrit të të infektuarve në Holandë nuk ka ndikuar në rritje të numrit të pacientëve nëpër spitale, marrë parasysh se shumica e rasteve të reja janë mesin e të rinjve.

Megjithatë, ministri holandez i Shëndetësisë, Hugo de Jonge, ka thënë të premten se numri i personave të shtrirë nëpër spitale, mund të “rrezikohet” nga një rritje e pashembullt e shkallës së infektimit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb