Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka ndarë disa nga pikat kryesore të programit të PL, në mbështetje të familjes.

Ndër to, ai veçon se me ardhjen në pushtet të PL, sipas Blushit, për nënat me dy dhe më shumë fëmijë do të ketë diferencim të taksave mbi pagën dhe të ardhurat. Po ashtu për çiftet e reja do të ketë mbështetje me kredi familjare deri në 20,000 euro, me interesa të subvencionuara nga shteti.

Reagimi i plotë:

Me urimin për një të diel të gëzuar me familjet tuaja, po ju rikujtoj disa propozime konkrete të Partisë së Lirisë në mbështetje të familjes:

Për nënat me dy dhe më shumë fëmijë: Diferencim i taksave mbi pagën dhe të ardhurat.

Gjatë lejes së lindjes të paguhet paga e plotë për një vit kalendarik.

Çiftet e reja të mbështeten me kredi familjare deri në 20,000 euro, me interesa të subvencionuara nga shteti.

Të jepen grante deri në 20.000 euro për sipërmarrësit e rinj, deri në moshën 25 vjeç, që krijojnë biznese sociale dhe start-up.

Të trefishohet bonusi i bebes. Për çdo fëmijë që lind të jepet një shpërblim trefish më i madh.

Nisur nga përqindja e lartë që ka konsumi i ushqimeve bazë në familjen shqiptare, Partia e Lirisë propozon:

Rimbursim deri në 5% të shumës së TVSH-së të shpenzuar për ushqimet bazë, sipas faturave të blerjes.

Në veçanti, për familjet me fëmijë 0-3 vjeç të krijohet “Shporta e bebes”, me ushqimet bazë dhe artikuj të higjenës, për të cilat do të bëhet rimbursimi deri në 10% sipas faturave të blerjes.

Të vendoset sigurimi i detyrueshëm i jetës, në ambientet parashkollore, shkollore, rekreative e sportive, për fëmijët e moshës 0-18 vjeç.

Mbështetja e familjes, kauzë madhore e Partisë së Lirisë!

Bashkë Fitojmë!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb