BERAT- Gjykata e Beratit ka shpallur të pafajshëm ish-kryetarin e Bashkisë Ura Vajgurore, Syrja Ormenaj ndërkohë që ka dënuar 8 zyrtarë të tjerë të këtij institucioni, të gjithë bashkë të pandehur në një gjykim, në të cilin akuzoheshin nga Prokuroria e Beratit për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” në dhënien e disa lejeve të ndërtimit, përfshirë edhe për ndërtimin e vëllait të ish-kryetarit të Bashkisë, të pandehur në këtë proces.

Në përfundim të gjykimit, Prokuroria e Beratit kishte kërkuar për të 9 zyrtarët, përfshirë edhe ish-kryetarin e Bashkisë (deri në qershor 2015), dënimin me nga 1 vit burgim. Në vendimin e saj, Gjykata ka pranuar kërkesën për 8 zyrtarë, duke shpallur të pafajshëm vetëm shtetasin Syrja Ormënaj, ish-kryetar i Bashkisë dhe njëkohësisht kryetar i Këshillit të Rregullimit të Territorit të Urës Vajgurore në kohën e hetimit.

Prokuroria e Beratit, në bazë të kallëzimit të Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, ka zhvilluar hetimin për dhënien e lejes së ndërtimit për godinë shërbimi, dhënë nga KRRT e Bashkisë Ura Vajgurore, në favor të subjektit LEKSI–OR”, sh.p.k. me administrator shtetasin Fatos Ormënaj, vëllai i kryetarit të Bashkisë, Syrja Ormënaj.

Gjatë hetimit, u konstatua se krahas shkeljeve në dhënien e lejes për këtë subjekt ndërtues, anëtarët e KRRT-së kanë dhënë leje në shkelje të ligjit edhe për disa ndërtime të tjera. Ky proces hetimor dhe gjyqësor ka zgjatur rreth 3 vjet, për shkak se fillimisht u nis hetimi për një zyrtar të Bashkisë Ura Vajgurore dhe më tej u zgjerua rrethi i personave të përfshirë edhe tek të gjithë anëtarët e KRRT-së.
Në përfundim të gjykimit, më dt. 15.10.2015, Gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë për shpalljen fajtor të 8 nga 9 personat e akuzuar, duke i dënuar nga 9 muaj deri në 1 vit burgim, të shndërruar në 18 muaj deri në 2 vite shërbim prove. Ndërsa ish-kryetari i Bashkisë, Syrja Ormënaj, u shpall i pafajshëm, ndërkohë që përfitues i drejtëpërdrejtë i një prej lejeve të ndërtimit të gjetura në shkelje të ligjit ishte e vëllait të tij.

Gjykata vendosi:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurës Valentina Mullisi dhe dënimin me 12 muaj burgim, duke aplikuar nenin 59 te KP për 2 vjet.
2. Deklarimin e pafajshëm te të pandehurit Syrja Ormënaj
3. Deklarimin fajtor të të pandehurit Zoi Gjoni dhe dënimin me 9 muaj burgim, duke aplikuar nenin 59 të KP për 18 muaj.
4. Deklarimin fajtor të të pandehurit Lulëzim Sino dhe dënimin me 9 muaj burgim, duke aplikuar nenin 59 të KP për 18 muaj.
5. Deklarimin fajtor te të pandehurit Vladimir Mydini dhe dënimin me 9 muaj burgim, duke aplikuar nenin 59 të KP për 18 muaj.
6. Deklarimin fajtor të të pandehurit Enriket Sado dhe dënimin me 9 muaj burgim, duke aplikuar nenin 59 të KP për 18 muaj.
7. Deklarimin fajtor të të pandehurit Todi Puriqi dhe dënimin me 9 muaj burgim, duke aplikuar nenin 59 të KP për 18 muaj.
8. Deklarimin fajtor të të pandehurit Elis Gjata dhe dënimin me 12 muaj burgim
9. Deklarimin fajtor të të pandehurit Petro Tumani dhe dënimin me 9 muaj burgim, duke aplikuar nenin 59 të KP për 18 muaj.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb