Policia e Shijakut ka goditur një tjetër rast të organizimit të veprimtarisë së kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit.

Gjatë aksionit, policia ka arrestuar një 33-vjeçar, që kishte vënë në dispozicion ambientet e lokalit të tij, për organizimin e lojërave të fatit, si dhe ka sekuestruar celularin që përdorej për vendosjen e basteve sportive.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Shijak, në vijim të operacionit policor të koduar “Fati i lojërave”, me qëllim goditjen e veprimtarive të paligjshme në fushën e organizimit të lojërave të fatit, kanë bërë të mundur goditjen e një rasti tjetër të kësaj veprimtarie dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit:

-O. Xh., 33 vjeç, banues në Shijak, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin ” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.

Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Shijak, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, kanë ushtruar kontroll në lokalin e tij, ku kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një aparat celular që përdorej për vënie bastesh në mënyrë të kundërligjshme.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb