KAKAVIJE- Tre doganierë të pikës së kalimit kufitar të Kakavijës dhe një shtetas tjetër janë arrestuar ditën e sotme pasi akuzohen për shpërdorim detyre dhe korrupsion. Në pranga janë vënë doganierët Ilirian Ymeraj, 42 vjeç; Islam Thana, 42 vjeç; dhe Eneida Çuçi, 35 vjeç; ndërsa i arrestuari Edison Qose, 42 vjeç, akuzohet për “Kontrabandë me mallra të tjerë” dhe “Korrupsion aktiv”.

Sipas policisë, tre doganierët akuzohen se kanë lejuar kalimin e mallrave kontrabandë në doganën e Kakavijës.

“Shtetasi Edison Qose, 42 vjeç, banues në Shkozë në Tiranë, u arrestua pasi në aksin rrugor Kakavijë-Tepelenë, në automjetin tip “Fiat” me targa AA513 IU, u gjetën 1.3 ton mallra ushqimorë , të cilat i kishte sjellë nga Greqia nëpërmjët Pikës Doganore Kakavije, duke shmangur detyrimet doganore, duke i dhënë doganierit të turrnit shtetasit Ilirian Ymeraj një shumë prej 200 Euro”, thuhet në njoftimin e policisë.

Doganieri Ilirian Ymeraj, sipas policisë lejoi kalimin në doganë të mallrave kontrabandë kundrejt 200 euro, dhe pasi u njoftua për arrestimin e shtetasit Edison Qose, 42-vjeçari Ymeraj braktisi detyrën.

“Nga Krimi Ekonomiko-Financiar është bërë arrestimi i shtetasit Ilirian Ymeraj, 42 vjeç, banues në Fier, doganier në Pikën Doganore Kakavijë, ky shtetas ka favorizuar kundrejt shumës 200 Euro shtetasin Edison Qosja, duke iu shmangur detyrimit doganor. Doganieri Ilirian Ymeraj porsa ka marrë vesh për arrestimin e poseduesit të mallrave kontrabandë ka braktisur detyrën dhe është larguar por është kapur gjatë ndjekjes nga Policia e Gjirokastrës.

Në vijim të veprimeve u bë ndalimi i dy daganierëve të tjerë: Islam Thana, 42 vjeç, banues në fshatin “Picar”, Gjirokastër, doganier në Pikën Doganore Kakavije; dhe Eneida Çuçi, 35 vjeç, banuese në Gjirokastër, doganiere në Pikën Doganore Kakavije.

Të dy këta shtetas janë ndaluar pasi dyshohet se kanë konsumuar elementet e veprës penale “Shpërdorim Detyre” pasi kanë qënë në shërbim në Pikën Doganore Kakavije dhe me veprimet dhe me mos veprimet e tyre kanë lejuar kalimin e automjetit me ngarkesë ushqimore prej 1.3 ton mallra ushqimorë’, vijon njoftimi i policisë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme.


(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb