TIRANE– “Satirë në Sheshin Skënderbej” titullohet ekspozita e piktorit Lekë Tasi që çelet në Galerinë Kombëtare të Arteve në datën 18 qershor. Ekspozita e kuruar nga Suzana Varvarica Kuka prezanton rreth 45 punime të realizuara pas viteve 2000, në teknikat vaj, teknikë e përzier dhe vizatime.

Lekë Tasi vlerësohet si një piktor tradicional me kah drejt artit modern. Kjo është një arsye më shumë që punimet e tij, të prezantohen e të njihen më gjerësisht nga mjedisi artistik dhe intelektual shqiptar. Në këtë mjedis Lek Tasi shquhet si një zë i ndryshëm e modern në botën e pikturës tradicionale shqiptare dhe për këtë ai duhet të zërë vendin që i takon në historinë e artit shqiptar.

Deri në vitin 1975 piktori ekspozoi vetëm disa punë, edhe pse kishte një krijimtari shumë të pasur. Pas viteve 1990, tashmë si profesionist ai i`u drejtua jo vetëm ekspresionizmit, por disa zhvillimeve të artit modern të shekullit XX. Ai pa me vëmendje, me seriozitet dhe imtësi prurjet sureale, naiviste dhe të abstraguara. Krijimtaria e Lekë Tasit është vlerësuar pozitivisht nga Galeria Kombëtare e Arteve dhe ai është bërë pjesëmarrës në dy edicione të Ekspozitës Ndërkombëtare “Onufri”, në vitet 2001 dhe 2004.

Po kështu rëndësia dhe modernia në veprat e tij ka nxitur kuratorë të Galerisë Kombëtare të Arteve të organizojnë në mjediset e saj, ekspozitat e tij vetjake, në vitet 1992, 2003 dhe 2007. Ekspozita do të shoqërohet me katalog ku përfshihen rreth 60 vepra në teknikat vaj, të përzier, vizatim, grafikë, akuarele dhe kolazh.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb