70 vite më pas, janë përkujtuar 22 intelektualët e ekzekutuar më 26 shkurt të vitit 1951. Një sërë posterash më shënimin “Mos harro 26 shkurtin”, janë vënë në kryeqytet, ndërsa gjatë takimit përmbyllës të “Ditëve të Kujtesës”, mbajtur nga IDMC, mbi atë ngjarje, foli edhe ish i dënuari politik Lekë Tasi, duke dhënë një mesazh të fortë mbi qasjen tonë ndaj të shkuarës.

“Kam lexuar kujtimet e Vaclav Haveli, ku mes të tjerash kuptoje se koleget e tij çekë në atë kohë, kishin një farë frymëzimi të mbrapshtë, mbi idenë se të qenurit korrekt me ligjin, i bënte të respektonin rendin në fuqi. Haveli i kundërshtonte me shumë qytetari. Më indinjoi pak intelektualisht, sepse duhej t’u ishin kthyer më keq, duhej t’u kishte rënë me sëpatë. Instituti juaj duhet të vërë në zbatim këtë sëpatën se kemi qenë ku e ku larg Çekisë”, tha Tasi.

Ai solli në vëmendje një figurë që refuzoi të ishte korrekt me rendin në kohë të pazakonta. “Dua të zgjedh figurën e Sali Ormanit, që ka qenë shef policie dhe ka qenë i shquar në luftë. Ai e kundërshtoi pushkatimin pa gjyq të atyre 22 personaliteteve të Shqipërisë(për bombën në ambasadën sovjetike), mes tyre edhe e shquara Sabiha Kasimati. Në këtë lloj tonaliteti tragjik dhe historik, duhet të thuhen faktet dhe të interpretohen si barbari me art”, tha Lekë Tasi, ish çelist në Opera para internimit dhe piktor.

Të pranishëm në takimin përmbyllës, ishin Tobias Ruttershof drejtues i Fondacionit “Konrad Adenauer”, Jonila Godole drejtuese e IDMC, etj.
Duke ju drejtuar të rinjve që kanë marrë pjesë në konkurset e të rinjve, tha se “të rinjte, jo rrallë e shohin të ardhmen jashtë ndaj ju bëj thirrje politikës e shoqatave se të rinjte nuk janë të topitur, por duan mbështetje. Ne duhet të kujdesemi që këta të rinj që janë filiza të bëhen pemë të fuqishme për demokracinë e vendin”.

Shkrimtari e skenaristi Ylljet Aliçka tha se ai që ka pushtetin ka në dorë të shkuarën, ndaj veçoi punën e bërë gjatë Ditëve të Kujtesës, si një punë, që ka pasur shumë ndikim në shpalosjen e të vërtetës.

Në mesnatën e 26 shkurtit 1951 u pushkatuan pa gjyq dhe pa faj 22 intelektualë të shquar të Tiranës dhe të Shqipërisë, me vendim të Byrosë Politike të KQ të PPSH, me pretekstin e të ashtuquajturës “Bomba sovjetike”, një sasie vogël dinamiti hedhur në oborrin e Ambasadës Sovjetike në Tiranë. Propaganda fajësoi për këtë organizatën antisovjetike, por që s’kishte asnjë lidhje me të pushkatuarit. Njëzete dy intelektualët e pafajshëm, mes tyre dhe Sabiha Kasimati, shkencëtarja e parë shqiptare, u ekzekutuan në breg të lumit Erzen, ku u groposën në errësirë dhe fshehtësi në një varr të përbashkët. Familjet e tyre u internuan në kampet e Tepelenës, Vlorës etj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb