Ishte kthyer në një “mace të zezë”, një skuadër që kishin afro dy vite që nuk i thyenin, Tirana i jep fund këtij makthi duke “shpartalluar” Kukësin në “Air Albania”. Ekipi i Shehit dhurojë një spektakël të vërtetë futbolli, një leksion ofensiv, duke dominuar verilindorët në çdo aspekt. Xhixha dhe Seferi në një mbrëmje të madhe kapën mat Kukësin në katër raste, katër zbritje të shpejta, dy gola për kokë, “poker” bardheblu.

Ky sukses vërteton edhe një herë se kryeqytetasit janë favoriti kryesor, kjo ishte një goditje e fortë ndaj një rivali direkt, duke mbajtur Kukësin larg me nëntë pikë. Orges Shehi shijon këtë sukses fantastik por përpiqet të mbajë ekipin me këmbë në tokë, nuk përjashton askënd nga gara për titull, madje nuk përjashton as Vllaznisë, por tashmë kërkon që ekipi i tij të qëndrojë i qetë dhe të administroj si duhet këtë avantazh të rëndësishëm, për Shehin tani nis kampionati i vërtetë i Tiranës.

Ky sukses merr edhe më shumë vlera pasi kalendari tani vjen në zbritje. Në dy sfidat e radhës presin në kryeqytet Skënderbeun dhe Egnatian ndërsa më pas luajnë kundër Kastriotit në transfertë, 3 ndeshje ku kërkohen 9 pikë, me shpresën për të thelluar edhe më shumë diferencat me ndjekësit.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb