Euro ka hyrë në trajektoren rënëse. Monedha e përbashkët ka vijuar të nënçmohet përkundrejt monedhës vendase duke u këmbyer me 133.38 lekë, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, duke arritur kështu në nivelet e ulëta të fillimit të nëntorit. Leku është forcuar përkundrejt të gjitha valutave në vend.

Sipas ekspertëve të kursit të këmbimit, këtë vit, efektet sezonale kanë filluar që të ndihen më herët. Fundi i vitit njihet për zhvlerësimin e valutës. Në ndryshim nga vitet e tjera, aktivitetet kanë filluar që të organizohen më shpejt, kjo ka nxitur dhe fluksin e emigrantëve dhe të turistëve gjithashtu.

Nënçmimi i euros është stimuluar edhe prej turistëve, – thonë ekspertët për Monitor, të cilët pohojnë se është rritur qarkullimi i parasë.

Qarkullimi i parasë është nxitur kryesisht prej uljeve që janë bërë në sektorin e tregtisë me pakicë, të cilët për të tërhequr blerësit kanë rritur ofertat përpara festave.

Një tjetër argument që japin ekspertët është edhe fakti se tani, tregtarët me pakicë, për t’i paraprirë kërkesave dhe fluksit të shtuar të punës gjatë festave, porositë i kryejnë përpara dhjetorit. Blerjet nga bizneset në fillim të dhjetorit ruanin balancën me rritjen e qarkullimit të parasë në vend dhe zhvlerësimi i monedhës së përbashkët nga efektet sezonale fillonin pak më vonë.

Sipas parashikimit të ekspertëve, euro do të vijojë në nivele të ulëta të këmbimit me lekun, duke qenë se përpara kemi datat finale që bizneset duhet të mbyllin detyrimet e TVSH-së apo dhe pagesat për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.

Duke marrë në konsideratë periudhat e mëparshme, euro mund të vijojë rënien deri me 25 dhjetor. Pas festave fillon efekti i kundërt, ku euro, me largimin e emigrantëve, por edhe me rënien e konsumit dhe të qarkullimit të parasë, fillon dhe vlerësohet në treg.

Janë nënçmuar përkundrejt monedhës vendase të gjitha valutat (shiko tab. e Bankës së Shqipërisë). Në tregjet ndërkombëtare, euro e ka nisur javën e fortë përkundrejt monedhave të tjera, ndërsa paundi Britanik, po reflekton pasiguritë që shkaktojnë zhvillimet e procesit të daljes së Britanisë nga Bashkimi Europian. /Monitor/

kursi i kembimit

tab-kk-11-dhjetor

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: