Sizmiologu Edmond Dushi me anë të një komunikimi të drejtpërdrejtë në studion e emisionit “Open” në News24 ka folur në lidhje me lëkundjet e tërmetit që rikthyen panikun te qytetarët mbrëmjen e kaluar, teksa tha se jemi në kushtet ku kemi një aktivitet sizmik që ka kulmuar mbrëmjen e djeshme dhe është ndjekur me pasgoditje gjatë natës dhe ditës së sotme.

Sipas tij ky është një aktivitet normal pasgoditjesh dhe hyn në tërmetet që shkaktojnë dëme minimale si plasaritje apo krisje të vogla në banesa.

Sakaq, me anë të lidhjes Skype sizmiologu Rrapo Ormeni deklaroi se asnjëherë nuk mund të parashikohet një tërmet apo si do vijojë situata, ndërsa shtoi se një tërmet si ai i mbrëmshmi ndodhet në një zonë ku gjenerohen tërmete të intensitetit të tillë, duke mos pasur lidhje me atë të vitit 2019 që shkaktoi veç dëmeve edhe dhjetëra viktima.

Dushi:

Jemi në ato kushte ku kemi një aktivitet sizmik që ka filluar nga data 12, ka kulmuar natën e mbrëmshme me magnitudën 4.7 dhe ka vijuar një seri pasgoditjesh edhe ditën e sotme. Ky është një aktivitet normal pasgoditjesh referuar tërmetit të ndodhur mbrëmë. Ne i klasifikojmë te tërmetet e moderuar, kur kalojnë magnitudën 4 futen te tërmetet që shkaktojnë dëmtime dhe me rritjen e mëtejshme problemet shtohen. Më shumë se dëme është shkaktuar panik.

Njerëzit dalin gjithmonë në mënyrë kaotike, shpeshherë shkojnë poshtë godinave, në sheshe apo kafene, por të sigurt jemi vetëm në zonat ku nuk ka objekte që mund të shemben. Gjatë qëndrimit në banesë duhet të evitojmë ashensorin dhe nëse jemi në objekte të larta duhet tu largohemi parmakëve të shkallëve gjatë zbritjes.

Ormeni:

Nuk mund ta dimë si do vijojë situata, ne gjykojmë që kemi pasur një goditje kryesore që ka ardhur duke u zvogëluar në numër. Ato sot janë shfaqur me magnitudë më të lartë se ato gjatë natës, por kjo është normale. Ne gjykojmë që jemi në situatën e pasgoditjeve deri në vendosjen e qetësisë. Ai që ka ndodhur në vitin 2019 janë fenomene të rralla. Një tërmet si ai i mbrëmshmi ndodhet në një zonë tjetër nga ai i 2019, në Klos, dhe gjeneron tërmete të ngjashme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: