Policia jep detaje në lidhje me ngjarjen e ndodhur mesditën e sotme në Peqin, ku një i moshuar që iu hapi derën e shtëpisë disa njerëzve të panjohur e i pranoi si “mysafirë” u grabit më pas nga ta.

“Rreth orës 14.00, policia u njoftua se në lagjen “Xhami” të Bashkisë, Peqin është vjedhur një banesë. Menjëherë u ngrit grupi hetimor dhe u shkua në banesën që ishte e vjedhur dhe i përkiste shtetasit S.Z. 76 vjeç”, sqaron policia.

Nga veprimet paraprake të kryera rezulton se në shtëpinq e tij ka shkuar një çift, me pretendimin se gruaja kishte nevoja personale. Ata dyshohet se i ka dhënë për të pirë një shishe me lëng të moshuarit, duke i paralizuar kujtesën. Për pasojë i moshuari ka përfunduar në spital.

“Dy shtetasit ende të paidentifikuar kanë marrë një shumë parash dhe janë larguar pa ushtruar dhunë ndaj të zotit të banesës, i cili tashmë ndodhet në spital për ndihmë mjekësore si pasojë e pijes së konsumuar. Grupi hetimor ka kryer të gjitha veprimet duke grumbulluar çdo provë të mundshme që do çonte në identifikimin dhe kapjen e autorëve. Njëkohësisht shtetasit i është marrë mostër gjaku për të përcaktuar nëse ka element toksikologjikë si pasojë e konsumimit të lëngut”, sqaron policia.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë për veprën penale të “Vjedhjes”.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: