TIRANE- Nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Valentina Leskaj, njëherësh edhe Zëvendës Presidente e APKiE-së, ka folur sot për “News 24” lidhur me qëndrimin e saj ndaj Raporterit për Kosovën në këtë mekanizëm, Agustín Conde. Gjatë mbledhjes së Komitetit për Çështjet Politike dhe Demokracinë të Asamblesë, në kuadër të punimeve të Sesionit të vjeshtës së Asamblesë Parlamentare të KiE-së (APKiE), Leskaj i kërkoi raporterit Conde që vizitën e parë ta zhvillojë në Kosovë, dhe jo në Serbi.

Më tej, nisur nga fakti se Conde e kreu vizitën e parë në Serbi dhe ende nuk ka shkuar në Kosovë, ndërkohë që është raporteri i Kosovës e jo i Serbisë, Leskaj inkurajoi Conde të vizitojë Kosovën dhe të zhvillojë kontakte me autoritetet kosovare, me përfaqësues të shoqërisë civile dhe faktorë të tjerë duke reflektuar në raportin e APKiE edhe progresin që ka shënuar Kosova në drejtim të kapërcimit të sfidave me të cilat përballet si një shtet i ri demokratik.

“Nuk mund të rrija pa reaguar ndaj një informacioni të tillë. Nëse raporteri për Kosovën, vizitën e parë e bën në Serbi dhe jo në Kosovë, dhe takon autoritetet serbe dhe nga pala kosovare takon vetëm 3 dhe janë serbë, atëherë kjo nuk është normale. E inkurajova që të bëjë vizitën në Kosovë. Duhet të kishte takuar autoritetet shqiptare në Kosovë”, tha Leskaj.

Nënkryetarja e Kuvendit tha se raporteri Conde u angazhua që brenda muajit tetor të bëjë vizitën e tij në Kosovë.

Më tej, Leskaj tha se “Në qershor ishin dy reporterë në Shqipëri, kryesisht për arsye faktmbledhëse. Për shkak të ngarkesës njëri nga raporterët nuk mund të qëndronte aty ditën e enjte u la që të ndahet. Nuk është raporti për Shqipërinë, ka një mision faktmnbledhës që ka bërë një informacion, dhe konkluzionet janë pozitive për Shqipërinë”.

Leskaj u shpreh se Kosova është duke përparuar në rrugën e konsolidimit demokratik, duke demonstruar vullnet dhe angazhim të qartë ndaj vlerave evropiane, si dhe për stabilitetin në rajon.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb