Teksa u shpjegon lexuesve të vet qysh në numrat e parë të gazetës se “Ç’është lirija”, Mid’hat Frashëri në gazetën e botuar në vitet 1908-1910 shkruan: “Lirija është që mos të të trazojë njeri ty e ti të mos trazosh të tjerë”. Krahas asaj se ç’qe liria, ai shpjegon ç’qe (e ç’është) robëria, çka sipas tij përmblidhet në këto fraza: “Kur s’ke siguri nga shpirti, kur s’të lënë të roç, kur s’të lënë të fitoç, kur s’të lënë të mësoç dhe të hapëç mendjenë. Kur na ish ndaluar ushqimi i mendjes, kur s’të lënë të flasëç.(…)S’na lininë të këndojmë shqip, s’nalininë të shkruajmë shqip, s’na lininë shkolla shqip. Ky ndalim i gjuhës ish një robëri, një robëri e zezë, që s’është parë kurrë gjetkë”.

Nga themelimi i “një shoqërie literate” në Stamboll, gazeta që ai botonte më shumë se 100 vite më parë, nënvizonte se, “kjo gjuhë është shenj’ e gjallërisë dhe e rojtjes sënë”. Në faqet e gazetës “Lirija” historianët e arsimit shqip gjejnë të dhënat e para për promovimin e shkollës së Elbasanit, dyert e së cilës u hapën 24 tetor në 6 klasa paralele dhe për çeljen e shkollave në gjuhën shqipe në fshatra malore të Shpatit të Elbasanit.

Pak ditë më parë është promovuar në Tiranë botimi anastatik i gazetës “Lirija” (1908-1910), themeluar e botuar nga Mid’hat Frashëri.
Në një kohë kur vetëdijësimi i idesë së kombit, gjuhës, etnisë, përkatësive rrezikohej dhe mjegullohej për shkak të sundimit 500-vjeçar nga Perandoria Osmane, ende pa u shpallur mëvetësia prej saj, një grup intelektualësh e patriotësh botojnë për 2 vite një gazetë kur artikujt merren me gjuhën, alfabetin, etninë, politikat,’guvernën xhonturke’. Përçarja ishte rreziku vetëshkatërrues mes politikave të mëdha me interesa që shkonin kundër shqiptarëve, ndaj botimi i një organi të tillë shtypi, rrekej që t’i bashkont shqiptarët përreth gjuhës, si elementi e tipari më përbashkues mes individëve të një kombi që në shekuj ishte ndarë mes ndikimesh e interesash të shumtë rajonal e perandorak. Duke e folur për shqipen si “ëmbëlsirën dhe bukurinë e shumtë që ka gjuha jonë”, “Lirija” e Midthat Frashërit botonte edhe artikuj si “Provimet e shkollave shqipe në Korçë”, “Mitingu në Elbasan kundër shkronjave të huaja”, “Mitingu në Korçë kundra shkronjave arabisht”.

Roli i saj në shoqërinë e kohës, që përkundej mes Lindjes dhe Perëndimit, mes frikës për t’u shkëputur nga administrata osmane dhe denoncimi i politikave të Perëndimit, që po ashtu rrezikonin trojet, ishte tejet i rëndësishëm. Studiuesit e kësaj gazete ka vënë në dukje se komentet dhe analizat kishin strukturën e një vështrimi ndaj një çështjeje a problemi qoftë edhe të një ideje të shkëputur nga realiteti siç qenë shkrimet: “Një vështrimës kohës së shkuarë ene ardhja” i botuar në numrin 50 (27 qershor 1909); “Ç’fituan nga Kongresi i Manastirit” i botuar në Nr., 17 (22 nëntor 1908) apo “Ç’u bë për shkrimet shqip” i botuar në Nr. 76 (20 shkurt 1910). Një sërë artikujsh të gazetës kishin strukturën edhe stilin e pamfletit. “Lirija” vijoi pa ndërprerje me 108 numra deri në vitin 1910.

Të plotë e lexoni në: Gsh.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb