NGA ARTAN SHYTI
Zoti President! Në datë 03.10.2016 Ju dekretuat rektorin e Universitetit të Sporteve. E bllokuat këtë dekretim për pesë muaj dhe unë, si kandidati tjetër për rektor, shpresova se do të dëgjonit ankesën tonë për një proces zgjedhor skandaloz në UST, për shkeljet e rënda të ligjit dhe ndërhyrjen e paprecedent të individëve me pushtet në Ministrinë e Arsimit e Sportit, të cilët deformuan haptazi vullnetin e votuesve në një institucion akademik.

Gjithashtu, ju njoftuam se kandidati për rektor që Ju dekretuat në 3 tetor ka shkelur haptazi ligjin e dekriminalizimit, pasi dënimin e tij me vendim të Gjykatës së Tiranës më 16.11.1994 nuk e deklaruar në formularin e vetëdeklarimit, që është kërkesë ligjore e panegociueshme për atë që kandidon në detyrën e rektorit. Kjo mund të vërtetohet në formularin e tij të vetëdeklarimit në uebsajtin e Presidencës.

Në zbatim të ligjit të dekriminalizimit, ky kandidat jo vetëm që nuk mund të dekretohet, por duhet ndjekur penalisht. Atëherë, unë kam të drejtë t’Ju pyes: Përse e dekretuat zoti President? Përse haptazi shkelët një ligj që Ju vetë e keni dekretuar?

Përse firma Juaj për dekretimin e rektorit “anuloi” firmën Tuaj për dekretimin e ligjit të dekriminalizimit, që u promovua si arritje e rëndësishme për të luftuar krimin dhe paligjshmërinë në Shqipëri? Zoti President, unë e kuptoj që individë me pushtet në Ministrinë e Arsimit mund ta shkelin ligjin. I njoh se kush janë, përse e bëjnë. Unë e kuptoj edhe ministren e Arsimit e Sportit që “bën veshin shurdh e syrin qorr” ndaj fakteve që i kemi vënë përpara.

Unë e kuptoj një gjykatës që autodhunohet profesionalisht e moralisht duke dhënë vendime absurde të jashtëligjshme. Por, unë nuk mund e nuk dua të pranoj që Presidenca, tempulli e gardiani i ligjshmërisë i këtij vendi, të shkelë ligjin. Nuk mund ta pranoj, sepse nëse ligji shkelet në Presidencë, çfarë mund të presim nga të tjerët!? Por, unë besoj akoma se, edhe kur gjithçka në këtë vend ta pushtojë paligjshmëria e korrupsioni, të paktën, Presidenti i Republikës duhet e do të mbetet bastion i fundit i ligjit në të.

Në 3 tetor ky besim imi është lëkundur keqas. Ndaj, me anë të kësaj letre të hapur Ju kërkoj të më ktheni shpresën se ky vend akoma ka të ardhme, se akoma ia vlen të investohesh për të, Ju kërkoj që të më bëni të besoj se të paktën Presidenti i Republikës do të mbetët tempulli dhe gardiani i ligjit. Besoj se kjo është detyra Juaj institucionale dhe detyrimi Juaj moral. Në emër të këtij besimi, që megjithëse i lëkundur vazhdon të ekzistojë, po Ju drejtohem publikisht.
(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb