Nga: ARIAN GALDINI*
Jam prind e je bir i një kohe të zbërdhylët në një vend vetëhamës. Je ende i vogël, tepër i vogël për t’i kuptuar këto gjëra që më shkojnë ndërmend ndërsa të shoh, të përqafoj, luaj me ty, a të mendoj. Ka pak që t’i ke mbushur 2 vjeç, e unë si baba kam filluar të ndjej veç gëzimit dhe lumturisë për ty edhe angushtinë për të nesërmen tënde.
Çdo ditë që shkon më zhyt më rëndë në duhatjen e një kohe e vendi që rropatet për të mbijetuar.
Sepse koha dhe vendi ku jetojmë, nuk kanë frymëmarrje. Kanë duhatje.
Kanë duhatjen e të dehurit dhogë. Kanë duhatjen e të dënuarit që bën punë të detyrueshme. Kanë duhatjen e mbijetojsit që i hakërrehet gjithçkaje dhe i trembet çdo gjëje. Kanë duhatjen e luftëtarit që nuk e di më përse e për kë lufton. Kanë duhatjen e Gjergj Elez Alisë, që 9 plagë i ka në shtat, por nuk di nëse Katallani i erdhi nga deti a nga brenda tij.
E kjo duhatje mua më ligështon.
Më bën të ndjej keqardhje që nuk ia dola dot mbanë në kaq vite përpjekje qytetare e publike për të qenë ndikues për ta shndërruar duhatjen e kohës dhe vendit tim, në frymëmarrje. Ndonëse, përpjekjet i kam bërë të pafundme e të tejmundshme.
Më bën të ndjej ankth që u bëra baba në një kohë e vend që duhasin, ndërsa biri që unë linda dua të jetë e rritet si frymëmarrës, i lirë, i dlirë, virtuoz.
Ankthi ma mpin trurin e ma bën thëllimë shpirtin.
Sepse unë e di që në një kohë dhe vend që duhasin, liria është marrëzi, dlirësia dobësi e virtuoziteti mallkim.
Koha kur duhat vrapon, por nuk shkon kurrkund. Vendi kur duhat bëhet pis, lodhet, por nuk ndërton kurrgjë.
Kush i lirë në një kohë që duhat, nuk mund të zgjedhë të shkojë aty ku ka dëshirë të shkojë, madje as të konkurrojë për ta merituar zgjedhjen. Sepse duhatja nuk të lë mundësi zgjedhjeje e as konkurrimi. Duhatja është ritual.
Kush zgjedh, merr frymë. Kush e di se ku do të shkojë e kur do të shkojë, merr frymë. Dhe koha që duhat e ndjen menjëherë atë që merr frymë. Kësisoj, koha që duhat e nxjerr jashtë vetes, ose e përtyp.
Kush është i dlirë në një kohë që duhat, ia thotë kohës të vërtetën. Por t’i thuash kohës duhatëse se t’i e di që ajo po duhat, është si të hidhesh vetë në humnerë me kokë.
Dikur, kur t’i ende nuk ishe lindur, madje kur unë isha shumë i ri, kam shkruar këto vargje të cilat nuk di pse po më kujtohen ndërsa po të drejtohem ty me këtë letër: “Kohë shtrigane e pashpirt, vetëhamëse barbare. Me zemrën time tash po tallesh paq, helm më hodhe në vesh të ndërgjegjes…”
Më paska gërvishtur koha ngahera.
E njëjta gjë edhe me vendin duhatës.
Në një vend që duhat, kush është i lirë është i vetmuar dhe i baltosur. Kush është i dlirë është i urryer. E kush është virtuoz është i pavlerësuar, e madje i luftuar.
Duhatja është rituali që duhet ta kryejnë të gjithë. Të gjithë duhet të bëjnë medemek se besojnë e bëjnë diçka, ndërsa nuk besojnë e as bëjnë asgjë. Të gjithë duhet të duhasin në vendet e punës, ndërsa bëhen copash për t’ju bindur shefave. Të gjithë duhet të duhasin në parti, ndërsa bëhen njësh me baltën teksa përulen duke duartrokitur dhe brohoritur udhëheqësit. Të gjithë duhet të duhasin ndërsa ankohen nëpër kafene, blogje e “Facebook”, e shajnë gjithkënd tjetër, pa e nisur fare këqyrjen nga vetja. Të gjithë duhet të duhasin ndërsa bëhen kandidatë për ushtarë nën moton k’ç’k (kap ça t’kapesh). Në një vend që duhat, ai që vjedh është i nderuar, ai që mashtron është i talentuar, ai që vret është burrë, e ai që bën keq është i shkathët, ai që duket por s’ka përmbajtje, quhet i suksesshëm.
Në një vend që duhat, kush ndihmon të tijtë, duke ua futur të tjerëve është njeriu a udhëheqësi i duhur.
Në një vend që duhat, nuk ka asnjë copëz hapësirë për atë që do tu bëjë mirë të tijve pa u bërë keq të tjerëve. Në një vend që duhat, të gjithë ndërtojnë a gjejnë hordhitë e tyre. E turren e bëjnë luftëra pa pushim mes tyre se kush do ta ketë radhën për të bërë plaçkën e luftës, pasi të ketë shtënë në dorë shtetin dhe të mirat publike.
Në një vend që duhat, edhe sipërmarrja është si Ulkonja e Romës që ushqen me qumështin e saj edhe Remin edhe Romulin, që në fund këta të vrasin njëri-tjetrin.
Në një vend që duhat, sipërmarrja nuk fiton nga imagjinata e as zotësia, por nga ndërlidhjet dhe nëndorësia.
Në një vend që duhat, edhe ndërkombëtarët duan vetëm të kryejnë punët që kanë parësore për llogari të tyre. Lodhen nga duhatja, e nuk kanë kohë e nuk duan fare të merren me vetë vendin.
Ndaj e humbas fillin, kur të shoh ty biri im të rritesh si frymëmarrës, të dlirë e virtuoz, në një kohë e vend që duhasin.
Ç’baba do të isha unë nëse do të të rrisja në këtë vend e kohë, pa të thënë të vërtetën?
Jam duke vuajtur, biri im. Jam duke vuajtur deri në ashtë.
Nuk di ç’model të të jap.
Nuk di sesi të të përgatis që t’i të rritesh frymëmarrës, pra i lirë, i dlirë dhe virtuoz, e të jesh edhe i lumtur.
Druaj se nëse do të të jap modelin tim të jetesës, t’i do të vuash porsi unë, e do të më urresh.
Druaj se nëse do të të lë të lirë të zgjedhësh mes modeleve të kohës dhe vendit duhatës, unë do të vuaj, e do ta urrej atë që do të bëhesh t’i.
Unë kam jetuar i lirë, i dlirë dhe shpresoj edhe virtuoz duke bërë surf në kënetë.
Por t’i biri im, nuk e meriton të kalosh nëpër të njëjtat shtigje shtrëngesash që kam kaluar unë.
Kurrë nuk kam vjedhur, mashtruar, kurrë nuk kam bërë keq e ligësi. Kurrë nuk jam bërë pjesë e hordhive që luftonin njëra-tjetrën, ndonëse kam bashkudhëtuar me to. E megjithatë, kam thyer kokën pa pushim, e asnjëherë nuk ia dola mbanë të dal jashtë gjendjes së mosmbërritjes.
Sipas kohës e vendit që duhasin, unë jam i nxjerrë jashtë kohe, jashtë sistemi, i panevojshëm, i dështuar, i pavlefshëm. Sipas meje, unë marr frymë, zgjedh i lirë, paguaj kostot e lirisë sime me ndërgjegje të plotë, dhe vazhdoj të bëj surf në kënetë, i pa dorëzuar.
Por historia ime nuk ka pse të jetë edhe e jotja.
Çdo baba, kërkon për birin e tij, një histori më të mirë, një gjendje më të mirë, një mundësi më të mirë.
E ja ku pyes veten, ç’të bëj me ty biri im, ç’të bëj? Të të ndihmoj të rritesh i lirë, i dlirë e virtuoz apo të të lë të bëhesh duhatës? Apo, të ikim? Të ikim biri im, larg kësaj kohe e këtij vendi që duhasin?
Ndoshta edhe kjo mund të jetë një zgjidhje. Të ikim, diku ku edhe koha edhe vendi janë frymëmarrje. Të ikim diku ku po të jesh i lirë, i dlirë dhe virtuoz, je në kohën dhe vendin tënd natyral… Të ikim…
Ah, sa i kuptoj tani ata që ikin. Ata që shesin shtëpi e katandi, e marrin fëmijët e tyre e nisen rrugëve të botës, pa pyetur nëse është ëndërr a zhgjëndërr, e vërtetë a gënjeshtër… Duan vetëm të çojnë fëmijët e tyre larg duhatjes… Qoftë edhe për pak kohë e me kosto të lartë.
Duan fëmijë të lirë, të dlirë dhe virtuozë. Nuk ikin nga varfëria. Ikin larg duhatjes. Modeli i duhatësve po ua vret çdo shpresë, po ua këput në rrënjë çdo syth dëshire a ëndrre për një vend më të mirë. Ndaj edhe duan të ikin. Larg modelit të duhatësve.
Jam në mëdyshje Davidi im. Të luftoj për ty që t’i të kesh një jetë më të mirë, larg kohës dhe vendit duhatës apo të zhytem thellë e pa kthim në betejën që kohës dhe vendit tonë t’i japim frymëmarrje?
Nuk e kam të lehtë ta vendos. Cilëndo të vendos, e di që unë nuk do të jem më i lumtur.
Së paku, të jesh t’i i lumtur. T’i.
Arian Galdini
Tirane më, 14 maj 2015.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb