Nga: ERJOLA JATA*

TIRANE – Demokratët nuk tërhiqen nga kërkesa për të marrë informacion për rreth 30 kontrata pagese, të bëra nga Ministria e Financave përmes letër kredive, në fund të vitit 2014. Pasi kërkesa e parë drejtuar kreut të komisionit të Ekonomisë Erjon Braçe nuk mori përgjigje, në një kohë që afati ligjor ka kaluar, deputeti Sherefedin Shehu thotë së një kërkesë tjetër do t’i drejtohet kryetarit të parlamentit.
“Ne jemi të interesuar dhe për kontraktorët, sepse fakti që kemi një proces jo transparent natyrshëm të shkon mendja që ato mund të jenë kompani ose biznese në mos qofshin familjare të qeverisë, ne do presim përgjigje, do bëjmë hapim tjetër të kujtesës dhe do marrim veprime nëpërmjet kryetarit të parlamentit, për të përmbushur detyrimet që qeveria ka”- deklaroi Shehu.
Opozita dyshon se ky veprim i pambështetur në ligj është kryer për të rritur fiktivisht investimet publike.
“Eshtë përdorur instrumenti i letër kredisë, shpjegon më qartë që këtu ka patur presion edhe qëllime për abuzime, sepse bërja me ngut dhe përdorimi për pagesë i një instrumenti, siç është kreditimi, tejkalimi i kompetencës nga ministri sepse ministri ka të drejtë të përdorë letërkreditin, por për projekte të rëndësisë kombëtare, jo për rikonstruksionin e Ministrisë së Drejtësisë. Këto nuk janë projekte të një rëndësie të veçantë, por edhe kur ka projekte të kësaj natyre, Ministri i Financave është i lejuar që të transferojë jo më shumë se 10 përqind të shumës së kontratës, por jo më shumë se garancia e kontratës. Ndërsa këtu bëhet fjalë për letër kredi me transferim të shumës së plotë të kontratës, pa u kryer punët që ne mund të paragjykojmë në mënyrë të natyrshme se nesër nuk do ketë kontroll fare.”- u shpreh Shehu.
Kontratat e pagesës për të cilat bëhet fjalë i përkasin disa ministrive, dhe opozita kërkon të dijë nga ministri Cani nëse ka patur transparence në lidhjen e tyre.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: