Një botë magjike përrallash me xixëllonja, një roman që nxjerr nga mjegulla mesjetare Arbërin dhe një libër që të josh drejt gramatikës.
Qendra Kombëtare e librit dhe leximit ka shpallur fituesit e Fondit për mbështetjen e krijimtarisë letrare për fëmijë.

Juria, e kryesuar nga Gaqo Bushaka ka përzgjedhur Luan Ramën me romanin “Udhëtim drejt planetit arbër”, Rovena Rrozhanin me përrallën “Fani në kërkim të dritës” dhe Rudina Çupin me librin didaktiko letrar “Grama Tik Tok”.

Letërsia për fëmijë duket se po merr vëmendje dhe po rifiton terrenin e humbur. Alda Bardhyli, Drejtore e Qendrës së Librit tha se libri për fëmijë do të ketë fond të veçantë.

Për anëtarin e jurisë Gaqo Bushaka tre librat e zgjedhur ishin libra të mirë dhe cilësorë, ndërsa anëtari tjetër Viktor Canosinaj kishte një apel për shtimin e autorëve për fëmijë.

Një vëmendje të veçantë morën ilustrimet e Artur Dautit të “Fani në kërkim të dritës”. Edhe motivacioni vinte në dukje, nxitjen e fantazisë së të vegjëlve.

Libri i Luan Ramës u vlerësua për temën sa kombëtare e universale dhe gjuhën e pëlqyeshme për fëmijët, ndërsa gramatika e Rudina Çupit për vlerat e larta gjuhësore dhe nxitjen e lidhjes së fëmijëve me zotërimin e gjuhës shqipe.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb