TIRANË- Politikani i djathtë, Tritan Shehu ka reaguar pas letrës së publikuar në media që deputeti socialist Taulant Balla u ka dërguar 3 eurodeputetëve francezë, të cilët u shprehën kundër anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Ndryshe nga sa është shprehur Balla, se Shqipëria mban çelësat gjeopolitikë të Lindjes dhe Perëndimit, Shehu thekson se Shqipëria është një vend krejtësisht perëndimor dhe vetëm perëndimor.

“Lexova letrën e Z.Balla ndaj disa europarlamentarëve. Dëshiroj t’i them deputetit se Shqipëria nuk ka “çelësat e Lindjes e Perëndimit”. Shqipëria është veçse një vend Perëndimor, krejtësisht Perëndimor, vetëm Perëndimor. Shumë teori dashakeqe në shekuj janë thurur pikërisht për ta larguar Shqipërinë nga Perëndimi e çuar drejt Lindjes. Gjithkush duhet të krenohet e mbrojë identitetin e tij edhe ata që janë në Lindje. Por i yni është veçse Perëndimor!” shkruan Shehu në faqen e tij të Facebook.

Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u ka dërguar një letër 3 deputetëve Dominique Bilde, Steeve Briois dhe Sophie Montel, të Frontit Nacional francez, që drejtohet nga Marine Le Pen, pasi ata kanë depozituar në PE një rezolutë kundër anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: