NGA DARINA TANUSHI

TIRANE- Sekretarja për Rininë në PS, Elisa Spiropali reagoi dje pas letrës së hapur që deputeti kritik Ben Blushi u drejtoi socialistëve, përmes shtypit. E irrituar me përcaktimet e Blushit për disa kolegë deputetë, por edhe për vetë atë, Spiropali u shpreh përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”, duke e quajtur Blushin, “një shkrimtar që po tretet kot më kot nga inati se nuk po riciklohet dot”. “Qese ekologjike Blushit për pazar”, e ka titulluar reagimin e saj, Spiropali.

“Ti që shkruan për ligjet, po nuk lexon asnjë nen; ti që flet po nuk dëgjon; ti që prodhon rima pa kuptim dhe pa qëllim; ti që u qan hallin njerëzve, që s’di t’u japësh as dorën; ti që e do Shqipërinë vetëm si maskë për mungesën tënde të dashurisë për të; ti që merresh me ekonominë në tribunë se nuk bëre dot ekonomi për vete në tryezën e qeverisë; ti që ke qenë tri herë ministër dhe bëre tri vrima në ujë; ti që parimet i ke armë për interesat e tua krejt personale; ti që reciton broçkulla si të Lulit se mendon se shqiptarët nuk meritojnë respekt, po vetëm manipulim; ti që di të bësh vetëm sherr se s’di të ujisësh asgjë etj.

Ti je kazani i ambicies tënde që nuk përputhet me paaftësinë tënde!”, shprehet sekretarja për rininë. “Kam vite që s’të dëgjoj asnjë ide origjinale dhe më ka ardhur sinqerisht keq kur bëre thirrje të shkruhen emrat e kolegëve nëpër kazanë, duke u shitur si origjinal. Sepse unë e mbaj mend mirë, kur protestoja kundër firmës tënde si ministër i Nanos, që emri yt u shkrua nëpër kazanë, sepse ishe ti që firmose vendimin famëkeq të asaj qeverie për të ndërtuar katër furra gjigante për djegien e plehrave të kamorrës italiane”, deklaroi Spiropali.

“Dhe kurajë të madhe ke sot kur ajo kompani që i dhe firmën kërkon 400 milionë euro nga shteti shqiptar pse nuk solli dot plehrat në Shqipëri, zotrote kap flamurin e ekologjistit për të dalë nga partia, ku more çfarë munde dhe kurrë nuk u mor vesh çfarë dhe!”, nënvizon sekretarja socialiste. “Riciklim të mbarë Blush, sot ke qenë më në fund i vërtetë në paaftësinë tënde për të qenë sadopak solidar në një parti ku përfaqësove vetëm egoizmin tënd plastik!”, e mbyll ajo komentin në rrjetin social.

Në letrën e tij, Blushi e etiketonte atë si: “Elisën nga Sushi”. “Unë nuk kam më shpresë tek ata, qysh se vendosen të eliminojnë konkurrencën brenda Partisë Socialiste dhe ta zgjedhin kryetarin e tyre me referendum si të ishte një mbetje e diskutueshme dhe jo një njeri që duhet të diskutohet para se të votohet”, shprehej Blushi në letrën e tij.

“Por, meqë në Grupin socialist besoj se kam ende disa miq, sepse të tjerët Rilindja i ktheu në kauçuk armiqësor, dua t’u them diçka që ndoshta nuk e dinë sa duhet. E kam të pamundur të ndiej keqardhje për shumë njerëz aty dhe nuk besoj se edhe ata pak miq që më kanë mbetur, kanë nevojë për keqardhjen time, çka mund t’i vinte seriozisht në siklet, duke i lënë pa punë. Sepse edhe me ndihmën time, disa prej tyre bëjnë prej kohësh një punë të merituar: janë bërë ndarës në burim të mbetjeve të Rilindjes”, thuhet në shkrimin e Blushit, botuar në “Panorama”.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb