Nga: IV KALOÇI*

“Gazeta Shqiptare” publikon ekskluzivisht dokumente të panjohura të Sigurimit të Shtetit, Sektorit të Jashtëm të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Komitetit të Partisë së Durrësit dhe Shkodrës të vitit 1970, ku ata kritikojnë “Albturizmin” për punën e dobët që po bënte me turistët e huaj që vinin në Shqipëri, pasi sipas vëzhgimeve të tyre, grupeve të huaja turistike, ku një pjesë kryesore zinin grupet marksiste-leniniste, nuk u krijoheshin kushtet më minimale të akomodimit dhe jetesës këtu për aq kohë sa qëndronin. Midis të tjerash, në informacionin e Sigurimit të Shtetit, të shkruar nga Drejtori i Sigurimit dhe njëkohësisht zv/ministri i Punëve të Brendshme, Feçor Shehu, në adresë të ministrit të Punëve të Jashtme, Behar Shtylla dhe sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Ramiz Alisë, bie në sy preokupimi i madh i organeve tona kompetente, që ndiheshin ngushtë për stilin e kërcimeve që bënin turistët e huaj te pista e hotel “Adriatikut” në Durrës, ku mblidheshin shumë njerëz, të cilët shihnin me admirim. Po kështu, një nga problemet kryesore të shtetit shqiptar të asaj kohe, ishte dhe fakti se sapo turistët e huaj dilnin nga autobusët, ata i ndiqnin nga pas turma fëmijësh kureshtarë, saqë në një rast në Pogradec, shoqëruesit ishin detyruar që t’i fusnin turistët në një lokal dhe t’i nxirrnin që andej vetëm pasi kishte ardhur policia dhe kishte larguar fëmijët. Për këto dhe të tjera fakte e ngjarje nga Shqipëria turistike e para viteve ’90, na njohin dokumentet arkivore që po botojmë më poshtë në këtë shkrim.

RAPORTI
Sot, ekskluzivisht në “Gazeta Shqiptare”, po botojmë të plota faksimilet e dokumenteve sekrete të Ministrisë së Brendshme dhe Komitetit të Partisë të rrethit të Durrësit e Shkodrës të vitit 1970, dërguar Sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë të Komitetit Qendror të PPSH-së, lidhur me grupet e organizuara të turistëve të huaj që vizitonin Shqipërinë e asaj kohe, ku pjesën kryesore të tyre e zinin grupet marksiste-leniniste. Në këto procesverbale sekrete të Ministrisë së Punëve të Brendshme, bëhet fjalë për zhvillimin e të gjitha programeve turistike që agjencia qeveritare e asaj kohe “ALBTURIZMI”, u organizonte këtyre grupeve turistike në mbarë vendin. Gjithashtu, në këto dokumente vërehet me imtësi e gjithë veprimtaria e turistëve, të cilët gjatë periudhës së vizitave të tyre në destinacionet përkatëse turistike në Shqipëri, iu nënshtroheshin rëndom disa rregullave strikte, me qëllim për të mos lejuar “degjenerimin” e rinisë dhe shoqërisë shqiptare në marrëdhëniet me vizitorët e huaj. Si dhe me “ambientimin” e të gjithë turistëve të huaj me rregullat e shkruara dhe të pashkruara të komunizmit shqiptar, lidhur me organizimin e turizmit dhe reklamimin e vendit para syve të mbarë botës. Sipas dokumenteve në fjalë, alarmante për zyrtarët e Komiteteve të Partisë dhe të Sigurimit të Shtetit, paraqitet në mënyrë të vazhdueshme veçanërisht situata në plazhin e Durrësit, ku në krahasim me rrethet e tjera, përqendrimi i grupeve turistike ishte më i madh. Kërcimet “ekstravagante”, mënyra e pahijshme e të veshurit dhe të vepruarit, si dhe interesi i vazhdueshëm për shoqërimin e tyre me shqiptarët e thjeshtë, do të përbënte një problem serioz për të gjitha strukturat e Komiteteve të Partisë nëpër rrethe si dhe për vetë funksionarët e lartë të MPB-së, deri te zv-ministri i Brendshëm, Feçor Shehu. Kjo gjë, edhe për faktin se “ALBTURIZMI” kishte nënshkruar më parë kontrata dhe marrëveshje me agjencitë dhe grupet e huaja turistike që do vizitonin vendin tonë, të cilët ishin të detyruar të zbatonin ato marrëveshje, ku si pikë kryesore ishte paraqitja e jashtme e turistëve dhe veshja e tyre. Po kështu, ashtu siç del nga këto dokumente sekrete, një problem i madh për shtetin shqiptar apo më saktë për “ALBTURIZMI”-n, dikasteret e institucionet e tjera që ishin ngarkuar me këtë punë, ishte problem i guidës turistike, pra vendeve ku do të dërgoheshin këta turistë për t’i vizituar. Pasi gjatë një vizite në stallat e Ndërmarrjes Bujqësore të Shijakut, aty nuk kishte pasur fare lopë, gjë e cila i kishte bërë shoqëruesit dhe përkthyesit që të ndiheshin ngushtë dhe të mos dinin se çfarë t’u thoshin turistëve. Tjetër gjë që bie në sy në këto dokumente sekrete, është dhe preokupimi jashtëzakonisht i madh, apo më saktë, një nga detyrat parësore të shtetit shqiptar ishte, jo akomodimi dhe plotësimi i kushteve minimale të turistëve, por edukimi i tyre me anë bisedave me lektorë, emisioneve të incizuara të “Radio Tiranës” që jepeshin me qendra zëri te hotelet e turistëve, të literaturës dhe librave të përzgjedhur nga ana e organeve kompetente etj., etj. Një tjetër çështje e nxehtë që shqetësonte vazhdimisht organet e Partisë së Punës, do të ishte edhe ardhja në Shqipëri në mënyrë të vazhdueshme e disa personave të cilësuar nga regjimi i komunist si të padëshiruar dhe me qëndrim armiqësor ndaj Republikës Popullore të Shqipërisë. Të tillë persona të arratisur që pas mbarimit të luftës nga Shqipëria, apo familjarë të tyre, do të tentonin të hynin të kamufluar si turistë, për të parë më nga afër gjendjen politiko-ekonomike dhe sociale të vendit. Rasti më flagrant i këtij veprimi do të ishte ai i Çesk Kallmetit, nga Shkodra, familja e të cilit do ta vizitonte Shqipërinë në shtatorin e vitit 1970, por që menjëherë do të vihej nën survejimin e plotë të Sigurimit të Shtetit. Një tjetër aspekt tejet interesant i përshkruar në këto dokumente sekrete është edhe ndjenja e vazhdueshme e mosbesimit dhe e dyshimit, që organet e Sigurimit të Shtetit ushqenin ndaj grupeve të ndryshme të turistëve të klasifikuar si “grupet marksiste-leniniste”. Në mënyrë të vazhdueshme, organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme përgjonin dhe survejonin pa përjashtim të gjitha grupet e ndryshme të turistëve të huaj, të cilët, përgjatë 48 viteve të ekzistencës së regjimit komunist të Enver Hoxhës, do të vizitonin “Parajsën e Humbur” të komunizmit shqiptar.

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE SEKRET
MINISTRIA E PUNEVE TE BRENDSHME Ekzemplar Nr. 1
DREJTORIA E PARE Tiranë, më 21.7.1970
Nr. Prot 3271
LENDA: Mbi disa probleme të turizmit
KOMITETIT QENDROR TE PPSH, SHOKUT BEHAR SHTYLLA TIRANE
Ashtu si vitin e kaluar, edhe këtë vit ka filluar të bëhet preukupant problemi i fëmijëve, të cilët duke u grumbulluar pas turistëve, janë bërë shkas për fotografime dhe gjëra të tjera të papëlqyera. Kjo ndodh pothuaj në të gjitha qytetet, por më e theksuar është në qytetin dhe plazhin e Durrësit.
Në mbrëmjen e datës 3.7.1970, me qindra të rinj, gra, burra, të rinj dhe të reja, u grumbulluan në pistën e hotel “Adriatikut” duke parë turistët çekë që pinë dhe kërcejnë. Masat e marra nga Komiteti Ekzekutiv i qytetit të Durrësit në këtë drejtim nuk kanë dhënë asnjë rezultat dhe gjendja çdo ditë po bëhet më preokupante.
Në ekskursionin që u organizua me turistët danezë në Pogradec, shoqëruesi ynë u detyrua që të ndërpresë shëtitjen e turistëve në bulevard dhe t’i fusë ata në Turizëm, vetëm sepse me dhjetëra fëmijë u shkonin pas turistëve.
Ekskursionet që organizohen me turistët në Fermën e Sukthit, janë të papërshtatshme. Përgjegjësit atje nuk tregohen të mobilizuar, stalla e lopëve të kooperativës së Shijakut është bosh, nuk ka lopë, ato mendohet të vijnë në shtator. Kjo nuk pasqyron realitetin tonë socialist.
Shumë turistë kanë kërkuar të bëjnë shëtitje me barka. Disa prej tyre, duke shfrytëzuar momentin që hotelet turistike kanë mungesë barkash, kanë shkuar individualisht në barkat e hotel “Hekurudhës” dhe kanë lundruar së bashku me shtetasit tanë.
Është konstatuar në të njëjtën kohë, se në dyqanin ku është caktuar që turistët të blejnë pije alkoolike dhe sende të ndryshme, ka mungesë. Për këtë turistët janë detyruar që të shkojnë në dyqane të tjera në plazh, atje ku shkojnë dhe shtetasit tanë.
ZV/MINISTRI I PUNEVE TE BRENDSHME
FEÇOR SHEHU
Informacioni për Ramiz Alinë nga Sektori i Jashtëm në KQ të PPSH-së
Shoku Ramiz
Ky është një informacion mbi disa probleme të punës me turistët, i përgatitur nga sektori, me qëllim që të merren disa masa për përmirësimin e punës në të ardhmen.
Për këto çështje jemi konsultuar me shokët e “Albturizmit”, të Komitetit të Partisë dhe Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Durrësit dhe me shokë që merren me këto probleme në Kryeministri. Në sektor zhvilluam gjithashtu një diskutim mbi këtë informacion. Ky material iu dërgua shokut Vasil Kati, për të marrë edhe mendimin e tyre mbi problemet që ngrihen. Vërejtjet e tij konsistojnë si vijon:
1). Punën propagandistike me turistët, për t’i bërë ata që të simpatizojnë vendin dhe popullin tonë, duhet në radhë të parë ta bëjnë organet e propagandës, komitetet e Partisë dhe pastaj “Albturizmi”.
2). Po ashtu, edhe punën politike me grupet që dërgohen nga partitë marksiste-leniniste nuk ka shumë mundësi ta bëjë “Albturizmi”, por sektori i jashtëm i KMKMBJ, Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste, Shkolla e Partisë dhe Universiteti Shtetëror i Tiranës.
20.X.1970 Sektori i Jashtëm
DISA PROBLEME TE PUNES SE TURISTEVE QE VIJNE NE VENDIN TONE
Vitet e fundit është rritur mjaft interesi i të huajve për të vizituar vendin tonë si turistë.
Tani, ndërmarrja “Albturist” ka lidhje pune me 16 agjenci turistike në Evropë (Angli 2, Francë 3, Gjermani 3, Austri 3, Itali 2, vendet skandinave 2 dhe Holandë 1), të cilat kanë vendosur shërbim të rregullt dhe dërgojnë çdo vit grupe turistësh. Tendenca e përgjithshme është rritja e numrit të turistëve nga të gjitha vendet. Gjatë kësaj vere, numri i qëndrueshëm ditor i tyre në Durrës arriti në 500 vetë, gjë që në krahasim me të kaluarën është në rritje të konsiderueshme.
Konkretisht këtë vit, deri tani kanë ardhur 75 grupe turistësh, me gjithsej 2725 vetë. Nga përbërja, grupet ndahen në:
1) Turistë të thjeshtë, 58 grupe me 267 vetë.
2) Turistë nga organizata marksiste-leniniste me të cilat mbajmë lidhje, 8 grupe me 310 vetë.
3) Turistë nga organizata marksiste-leniniste me të cilat nuk mbajmë lidhje, 252 vetë.
Zhvillimi i turizmit me këto ritme (në të ardhmen mund të jenë edhe më të mëdha), shtron një sërë problemesh për punën ideo-politike e propagandistike, si dhe probleme tekniko-organizative që duhen zgjidhur, me qëllim që të përmirësojmë sa më shumë punën tonë.
I. Disa çështje të propagandës me turistët
Propaganda që bëhet tani me turistët, nuk u përgjigjet as kërkesave që kanë të huajt për Shqipërinë dhe as mundësive që kemi ne. Ajo është e kufizuar, e varfër në përmbajtje, shpesh e rëndomtë dhe nuk paraqet si duhet realitetin e vendit tonë. Në përgjithësi, bëhet kjo punë:
1). Me anën e ekskursioneve nëpër Shqipëri. Me turistët e thjeshtë, të cilët përfaqësojnë rreth 75 për qind të numrit të përgjithshëm, bëhen ekskursione sipas dëshirave të tyre, por në to përfshihen kryesisht objekte historike, arkeologjike etj., dhe mungon pothuaj fare elementi politik aktual. Vetëm në programet e grupeve të dërguara nga partitë dhe grupet marksiste-leniniste u fut ky element. Me ta u zhvilluan biseda ideopolitike nga kuadro të përgatitur, u organizuan vizita në objekte social-ekonomike dhe kontakte me njerëzit tanë. Me gjithë të metat e vërtetuara, kjo punë dha rezultate mjaft të mira, gjë që u shpreh nga vetë turistët në shumë raste.
2). Për herë të parë këtë vit, “Albturizmi” ngriti qendrën e zërit me altoparlantë rreth hoteleve në Durrës. Me anë të saj, transmetoheshin në gjuhë të huaj biseda të incizuara mbi probleme nga më të ndryshmet nga vendi ynë si dhe emisione të “Radio Tiranës”.
3). Dy herë në javë organizohen shfaqje filmash dhe këtë vit për herë të parë u dhanë edhe disa koncerte nga grupe folklorike të dërguara nga Tirana.
4). Shpërndahen disa materiale propagandistike, si prospekte, guida turistike, kartolina dhe materiale ideo-politike.
5). Aktivitete propagandistike zhvillojnë edhe shoqëruesit e grupeve, gjatë ekskursioneve nëpër Shqipëri. Kjo është pothuaj e gjithë puna propagandistike që zhvillohet tani me turistët e huaj. Pra, siç shihet, mbetet shumë për të bërë në këtë drejtim, si në sasi, ashtu edhe në përmbajtje.
Nuk është i vërtetë mendimi që ekziston në disa shokë, se turistët që vijnë në Shqipëri synojnë vetëm të sigurojnë një pushim të këndshëm, të vizitojnë qendra historike, arkeologjike dhe të shijojnë bukuritë natyrore të Shqipërisë. Natyrisht, pjesa dërrmuese e tyre këto gjëra i vë në plan të parë dhe për këtë vjen e bën shpenzime, por duhet pranuar gjithashtu, se nuk janë të paktë ata që shtyhen edhe nga motive të tjera, nga kurioziteti dhe dëshira që të verifikojnë dhe të shohin me sy, të gjithë atë çka flitet sot në botë për vendin tonë. Në këtë kuadër propagandës sonë i mbetet shumë për të bërë, në mënyrë që turistët e huaj të largohen nga Shqipëria, jo vetëm të kënaqur nga pushimet, por edhe me mbresa të mira në drejtime të tjera, nga realizimet e mëdha në të gjitha frontet dhe nga mikpritja e popullit tonë. Objektivi i tërë punës sonë propagandistike me turistët duhet të jetë ai që, pjesën dërrmuese të tyre ta bëjmë simpatizuese të vendit dhe popullit tonë. Këtë punë, natyrisht duhet ta bëjë “Albturizmi”, si institucion i ngarkuar me këtë detyrë, i cili nuk duhet të shikojë vetëm anën tregtare të turizmit, por nga ana tjetër nevojitet që të shikohen edhe faktorë të tjerë.
(vijon nesër )

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb