NGA FATMIRA NIKOLLI

TIRANE-
Cila është detyra që na lënë ata që kemi humbur? “Që ti mbajmë brenda vetes. Kjo është detyra. Ne i mbajmë të gjithë brenda vetes, të vdekurit tanë dhe të dashurit tanë të dërmuar. Vetëm ata na bëjnë të jemi të plotë. Kur ne fillojmë t’i harrojmë ata që kemi humbur, apo t’i zbojmë, atëherë… atëherë ne s’jemi më as ne”. Romani “Letra e harruar” e Nina George, përkthyer nga Sabina Dhrimo vjen e botuar në shqip në siglën e “Botimeve Pegi”. Në rreth 400 faqe, ai endet brenda shpirtit njerëzor, ndërsa ky i fundit endet në kërkim të shërimit të vetes. “Letra e harruar” është një libër i mbushur me ndjenja: Përmes një historie dashurie ai bëhet një himn për leximin, librin, librat që të rrëfejnë botën, që të bëjnë të udhëtosh përmes saj. Teksa lexohet, ky roman, ju bën të shihni gjithë Francën, bukuritë e rralla, fshatrat e mbetur si në romanet e 1800- ës, shtëpitë e bardha, zonat e jugut, erën, dritat dhe magjinë e pakrahasueshme.

Zhan Perdu është personazhi kryesor që përmes botës e udhëtimit të tij, na çon në shtigje të strukura ku shpesh kemi refuzuar të shkojmë. “Farmacia e tij letrare”, që në fillim e gjejmë buzë Senës, na bind për shërimin e dhimbjeve përmes librave, ndërsa vetë Perdu (dhe Manoni, dashuria e tij e trishtë) se bashku me Maksin, Katerinën, Kuneon, Samantën na shpalosin në panorama të vogla e rëndësinë e leximit si domosdoshmëri për të kuptuar përtej pamjes, për të jetuar më shumë se çastin, për të njohur më shumë se përreth vetes dhe që një ditë, një ditë, të dimë të ngremë krye. Emra shkrimtarësh të mëdhenj që me letërsinë e tyre kanë ndryshuar njerëzimin, ose së paku i kanë shërbyer atij, gjejnë vend kaq lehtë në këtë roman- duke u kthyer në pika të rëndësishme referimi.

Secili, përmes këndvështrimit të tij për botën, bëhet pjesë e farmacisë letrare, dhe e një bote, që pa ata, do ishte shumë e trishtë dhe e pagëzimtë. Në një barkë në brigjet e Senës, gjendet një librari lundruese fare e veçantë, me emrin “Farmacia Letrare”, një vend kulture, ku librat nuk janë thjesht për lexim. Zhan Perduja, librashitësi i saj, mendon se çdo libër është balsam për shpirtin dhe çdokujt që hyn në librarinë e tij, si një shërues i mirë, i jep librin e duhur për çdo vështirësi në jetë. I vetmi njeri që, mesa duket, nuk po gjen shërim përmes letërsisë është ai vetë(edhe pse libri “Dritat e jugut” që e ka mbajtur gjallë është i ‘Sanarit’): Prej njëzet e një vjetësh, ai jeton me kujtimin e së dashurës së tij Manonit, e cila ishte zhdukur një ditë krejt papritur duke i lënë vetëm një letër. Atë letër, Zhani “e harroi” me dashje, sepse ai e kishte dashuruar Manonin me gjithë shpirt, duke lënë veten krejtësisht pas dore e duke iu përkushtuar dashurisë së tyre sublime….

Një ditë, falë Katerinës, letra do të dalë përsëri në skenë, pas 20 vjetësh, e paprekur dhe, më së fundi Zhani zbulon pse Manoni ka ikur. Kjo letër, do ta shtyjë të lërë brigjet e Senës dhe të ndërmarrë një lundrim nëpër lumenjtë e Provansës së bukur, një udhëtim i mbushur me ngjyra, aroma e shije të paharrueshme. Me të do të bashkohet Maksi, një shkrimtar i ri e i famshëm në kërkim të dëshpëruar të frymëzimit, si dhe Salvatore Vitale, një italian ëndërrimtar e simpatik, i dashuruar pas kuzhinës dhe sekreteve që fsheh ky art. Të gjithë janë në kërkim të recetës vetjake të lumturisë dhe të shërimit të shpirtit përmes librave. Ky, është një nga librat më të shitur në mbarë botën, i mbushur me aventura dhe ngrohtësi.

Është një himn i mrekullueshëm për librat si dhuratë mençurie e shpëtimi, për ndjenjat e humbura e të gjetura sërish, për shpirtrat e trazuar, dhe për shpresën, ajo që do të mbushë shpirtrat e dorëzuar të secilit prej nesh. Një libër që ju drejtohet të dashuruarve, zemrave të thyera, si dhe librarëve si shëruesit e shpirtit nëpërmjet leximit. Nina George (1973), është shkrimtare gjermane, e mirënjohur për romanin e saj më të shitur “Letra e harruar”, përkthyer në 28 gjuhë dhe shitur në më shumë se 500 mijë kopje. Ajo ka shkruar 26 romane të tjera, gjithashtu ka punuar si gazetare e kronikës kriminalistike dhe redaktore përgjegjëse për një sërë gazetash të njohura gjermane. Në 2012 dhe 2013, ka fituar çmimin ‘DeLiA’ dhe ‘Friedrich Glauser’, çmimi për romanin më të mirë në Gjermani.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: