Rekomandimet e bëra nga OSBE për Shqipërinë në lidhje me zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 dhe ato vendore të vitit 2015, duhet të zbatohen para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Kështu është shprehur në një letër drejtuar ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati, ambasadori i SHBA në OSBE, Daniel B. Baer.

“Duke pritur zgjedhjet e ardhshme që parashikohen në vitin 2017, Shtetet e Bashkuara u bëjnë thirrje liderëve politikë të vendit të dyfishojnë përpjekjet për të shqyrtuar rekomandimet e bëra nga Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODHIR), pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2013, si edhe ato vendore në vitin 2015. Ashtu siç arriti në përfundim ODHIR-i, duhet bërë më shumë punë për të rritur besimin e publikut në procesin zgjedhor, duke përfshirë garantimin e mosabuzimit të burimeve shtetërore për qëllime fushate, duke rritur transparencën e financimeve të partive politike dhe fushatave zgjedhore, dhe duke zbatuar ligje të sakta dhe të qarta kundër blerjes së votës. Këto dhe rekomandime të tjera duhet të zbatohen para zgjedhjeve parlamentare të ardhshme”, theksohet në letër.

LETRA E PLOTE
Z. Ministër, kemi kënaqësinë t’ju mirëpresim në Këshillin e Përhershëm. Në emër të Shteteve të Bashkuar, duam ta përgëzojmë Shqipërinë në 25-vjetorin e saj si një Shtet pjesëmarrës në OSBE. Më herët gjatë këtij viti, Shtetet e Bashkuara festuan me Shqipërinë 25-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve tona diplomatike. Siç e tha së fundmi Sekretari i Shtetit John Kerry, Shtete e Bashkuara dhe Shqipëria janë miq, partnerë dhe aleatë në NATO, dhe ne kemi një interesa të përbashkëta të mëdha dhe një marrëdhënie të veçantë. Shqipëri është në rrugën e integrimit të plotë Euro-Atlantik, duke bërë reformat e nevojshme për të forcuar institucionet demokratike.

Shqipëria dhe OSBE-ja gëzojnë një partneritet të ngushtë. Prania e OSBE-së në Shqipëri është e fortë, e paanshme, dhe një partner mbështetës, që punon ngushtësisht me qeverinë shqiptare, parlamentin, shoqërinë civile, dhe aktorë të tjerë për të garantuar që Shqipëria të bëjë progres të qëndrueshëm drejt përmbushjes së angazhimeve me OSBE-në. Prania e OSBE-së gjithashtu luan një rol të rëndësishëm në mbështetjen e Shqipërisë në zbatimin e reformave demokratike kyçe.

Shqipëria ka bërë progres të rëndësishëm në luftën e saj për një qeveri të përgjegjshme (llogaridhënëse), në përpjekjet e saj për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, dhe hapat e guximshëm të bërë këtë vit duke miratuar reformën në drejtësi. Luftimi i korrupsioni dhe largimi i ndikimeve kriminale nga politika janë jetike për zhvillimin e qeverisjes së mirë dhe për institucione demokratike te forta të Shqipërisë. Në 22 korrik, Parlamenti miratoi njëzëri (unanimisht) ndryshimet në Kushtetutë si pjesë të paketës së reformës në drejtësi, duke pasqyruar kështu mbështetjen shumë të madhe të publikut për ndryshim. Ky ishte një moment me të vërtetë historik dhe një hap vendimtar për sa i përket garancisë që gjyqësori i Shqipërisë është i ndershëm dhe funksionon mirë për të gjithë qytetarët shqiptarë. Ne e inkurajojmë qeverinë dhe parlamentin të përfundojë këtë punë jetike dhe të miratojë legjislacionin e nevojshëm, për të mundësuar zbatimin, pa vonesë.

Shqipëri vazhdon të jetë një partner i përkushtuar në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Në vitin 2015, qeveria miratoi Strategjinë Kombëtare në Luftën Kundër Terrorizmit të Dhunshëm. Këtë vit, qeveria emëroi një Asistent pranë Kryeministrit dhe Koordinator Kombëtar në Luftën Kundër Terrorizmit të Dhunshëm, z. Agon Sojati, i cili po mbikëqyr zbatimin e Strategjisë Kombëtare në Luftën Kundër Terrorizmit të Dhunshëm të Shqipërisë. Ne e mirëpresim emërimin e z. Sojati dhe besojmë se puna e tij me institucione arsimore, grupe fetare, median, shoqërinë civile dhe qeverinë është vendimtare. Shtetet e Bashkuara kanë kënaqësinë të mbështesin këto përpjekje dhe presin të punojnë ngushtësisht me qeverinë e Shqipërisë në përqasjen e vet gjithëpërfshirëse ndaj rritjes së tolerancës dhe mënjanimit të ekstremizmit të dhunshëm.

Duke pritur zgjedhjet e ardhshme që parashikohen në vitin 2017, Shtetet e Bashkuara u bëjnë thirrje liderëve politikë të vendit të dyfishojnë përpjekjet për të shqyrtuar rekomandimet e bëra nga Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODHIR), pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2013, si edhe ato vendore në vitin 2015. Ashtu siç arriti në përfundim ODHIR-i, duhet bërë më shumë punë për të rritur besimin e publikut në procesin zgjedhor, duke përfshirë garantimin e mosabuzimit të burimeve shtetërore për qëllime fushate, duke rritur transparencën e financimeve të partive politike dhe fushatave zgjedhore, dhe duke zbatuar ligje të sakta dhe të qarta kundër blerjes së votës. Këto dhe rekomandime të tjera duhet të zbatohen para zgjedhjeve parlamentare të ardhshme.

Ministër Bushati, Shtete e Bashkuara ndajnë pikëpamjen tuaj se OSBE-ja duhet të angazhojë drejtpërdrejt liderët e Kosovës. Ne besojmë se OSBE-ja duhet të gjejë mënyra për të zgjeruar dialogun dhe bashkëpunimin me Kosovën, vendin që ka misionin më të madh të përhershëm në terren të OSBE-së. Zyrtarë nga Kosova duhet të jenë të pranishëm kur diskutohen çështje që kanë të bëjnë me vendin e tyre, duke u lejuar atyre të informohen dhe të dëgjojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe në Shtete pjesëmarrëse.

Z. Kryetar, Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë miqësinë e ngrohtë me qeverinë dhe popullin shqiptar, dhe pret që të thellohet partneriteti ynë në të ardhmen.

Dhe përpara se të përfundoj, z. Minister, lejomë t’ju falënderoj që dërguat një diplomat kaq të aftë që të punojë me ne këtu në Vjenë. Ravesa është një diplomate e aftë dhe e zgjuar, dhe ne jemi aq me fat që e kemi kolege sa edhe Shqipëria që e ka përfaqësuese.

Faleminderit, z. Kryetar

Siç u paraqit nga Ambasadori Daniel B. Baer në Këshillin e Përhershëm, Vjenë. /Përktheu Ilir Sinanaj/

(el.sp/balkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb